Monday, November 25, 2024

Titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, për Marije Rranzi(pas vdekjes), Eljaz Ahmeti(Dini), Brahim Syka dhe Arben Heta

Lexo

Katër figura shumë të njohura të sportit shkodran dhe më gjërë janë nderuar nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. Bëhet fjalë për ish sportisten shumëplanëshe, kampione dhe rekordmene e atletikes shqiptare, basketbolliste, volejbolliste, por edhe pedagoge e nderuar, Marie Rranzi e ndarë nga jeta pak vite më parë. Krahas Rranzit që e merr këtë titull pas vdekjes, me “Mjeshtër i Madh” janë vlerësuar edhe ish mundësi dhe më pas trajneri kampion, i Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares, Eljaz Ahmeti(Dini), si dhe dy ish çiklistët kampionë të Vllaznisë dhe Tiranës, si dhe të ekipit tonë kombëtar, Brahim Syka dhe Arben Heta.

Titujt në fjalë janë dorëzuar nga vetë Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne të organizuar në mjediset e Presidences, ku ai vlerësoi arritjet dhe rezultatet e larta të sportistëve të spikatur në atletikë, mundje dhe çiklizëm, duke i dekoruar ata me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Çfar tha Presidenti, Ilir Meta për figurat sportive të dekoruara nga ana e tij me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Marije Rranzi(Ish atlete, trajnere, pedagoge) – “Është kënaqësi të organizojmë këtë ceremoni për të nderuar me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, Marie Rranzin, themeluesen, kampionen dhe rekordmenen e parë të atletikës tonë, sportisten e mrekullueshme dhe të gjithanshme, në basketboll, volejboll e pingpong, si dhe një nga mësueset e para të edukimit fizik. Marie Rranzi gjithë jetën e saj ja kushtoi inkurajimit dhe pjesëmarrjes së vajzës dhe të gruas shqiptare në aktivitet fizike dhe në sport, duke dhënë kështu një kontribut historik për emancipimin e shoqërisë sonë.”

Eljaz Ahmeti(Ish mundës dhe trajner) – “Është kënaqësi e veçantë të nderojmë gjithashtu me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” edhe një sportist të madh të mundjes klasike, Eljaz Dini (Ahmeti), trajnerin e suksesshëm të ‘Vllaznisë’ dhe ‘Partizanit’, kampion dhe fitues i disa spartakiadave kombëtare, po kështu një trajner i mjeshtrave të mëdhenj të mundjes klasike.”

Brahin Syka(Ish çiklist) –  “Është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ edhe sportistin e talentuar shkodran, Brahim Syka, çiklistin kampion, që së bashku me Agim dhe Sytki Tafilin, krijuan një treshe historikë që udhëhiqte çiklizmin shqiptar. Kampion, fitues i Medaljeve të Arta në spartakiadat kombëtare, i pathyeshëm në të gjitha garat brenda dhe jashtë vendit.”

Arben Heta(Ish çiklist) – “Kam kënaqësi të nderoj sot, Arben Hetën me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, është një nga çiklistët e spikatur të klubit ‘Tirana’ dhe të Ekipit Kombëtar. Fitues i shumë titujve kampion dhe trofeve të rëndësishme në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka lënë gjurmët e tij të paharruara në zhvillimin e sportit të çiklizmit.”

“Mjeshtërit, që vlerësojmë, janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv, pasi me arritjet e tyre ata na kanë bërë të ndjehemi krenarë. Një falënderim të veçantë kam për familjet e tyre, që i kanë mbështetur, në të gjithë sakrificat që ata kanë bërë, për të pasur suksese në sport. Shembulli i sukseseve të tyre, duhet të jetë një frymëzim, sidomos për fëmijët dhe për të rinjtë e sotëm, që të angazhohen me sport”, tha ndër të tjera, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë ceremonisë dekoruese të figurave të sportit shkodran.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img