(Intervista) Edmond Doçi, optimist për Vllazninë: Edi Martini është njeriu i duhur. Kishte vite që kërkohej një rikthim i tij në Shkodër dhe unë mendoj se ai e njeh mjaft mirë ambientin e futbollit në qytet!

Edmond Doçi, trajneri i Vllaznia U21 dhe ish-mbrojtës kampion me kuqeblutë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Shkodrani ka diskutuar për dështimin në finalen e kampionatit, ku thekson se, pavarësisht se ishte e dhimbshme, duhet gjetur reagimi i duhur këtë sezon. Ndër të tjera ai komenton edhe përgatitjet e edicionit të ri, merkaton në hyrje dhe dalje të kuqebluve, ardhjen e trajnerit Martini apo edhe promovimin që po i bëjnë 9 herë kampionët e vendit elementit të ri.

Si një person shumë afër klubit, ka kaluar disi ai zhgënjim i finales me Egnatian?

Sporti ka ditë pozitive dhe ditë negative, por skuadra duhet të jetë profesionist dhe siç thuhet “ta kthejë dhimbjen në forcë”. Tashmë është diçka që ka kaluar pavarësisht se ende “djeg” disi. Ishte shumë e dhimbshme sidomos për tifozët që ishin përgatitur prej kohësh për të festuar, por edhe për klubin. Mendoj se duhet shikuar para dhe të përcaktohen objektivat për sezonin që vjen.

Çfarë duhet të presim nga Vllaznia në sezonin e ri?

Duhet të presim ego, dëshirë dhe grintë. Atë çfarë e karakterizon këtë skuadër dhe siç janë në të vërtetë shkodranët. Ku nuk duhet të mungojë dëshira për të luajtur dhe shfaqur futboll cilësor, ashtu siç e kërkon shumëkush në Shkodër.

Mendoni se ky ekip do të pretendojë sërish për zonat e larta të renditjes?

Vllaznia si e tha apo si nuk e tha është gjithmonë pretendente për vendet e para. Ia kërkon historia dhe fanella që mbart. Po ashtu, edhe tifozët që gjithmonë kërkojnë maksimumin nga ky ekip. Prandaj besoj se skuadra do të jetë sërish në vallen e ekipeve pretendente për sezonin që vjen.

Ku duhet të synojë të përforcohet skuadra? 

Ekipi duhet të mendojë të përforcohet në çdo repart. Çdo ekip ka nevojë gjithmonë për përmirësim dhe përjashtim nuk bën as Vllaznia. Them se do të ishte më e mira e mundshme që çdo rol në fushë të ishte i dubluar dhe të kishte alternativa cilësore dhe serioze për secilin nga titullarët e mundshëm që mund të paraqiten në sezonin e ri.

Po diskutohet shumë për një largim të Esat Malës, do të ishte një “humbje” e madhe për ekipin? 

Ende s’ka diçka konkrete për largimin e Malës dhe unë dua që ai të qëndrojë te Vllaznia. Do të ishte një humbje e madhe nga ana cilësore për skuadrën, por edhe nga ana morale, sepse ai është një nga liderët e skuadrës dhe që i jep zemër ekipit me cilësitë dhe eksperiencën e tij.

Duke qenë pjesë e akademisë, besoj se e gjykoni shumë pozitiv afrimin e 3 futbollistëve në ekipin e parë… 

Është kënaqësi kur shikon elementë nga akademia që firmosin me ekipin e parë. Kjo tregon se Shkodra ka elementë dhe shpresoj që edhe çunat që u afruan së fundmi të gjejnë hapësirat, si Dodaj apo Jukaj në edicionin e shkuar. Po ashtu shpresoj që shansi t’i jepet edhe të tjerë elementëve, pasi e them me plot gojën se ka ende të tjerë futbollistë premtues në radhët e akademisë Vllaznia dhe jo vetëm.

Duhet Vllaznia të ndërtojë një ekip me bazë lojtarësh shkodranë? 

Ajo do të ishte një kënaqësi më e madhe, por mendoj se Vllaznia e ka aktualisht bazën me futbollistë shkodranë. Pasi thuajse 80% e skuadrës është “bio”, me lojtarë nga Shkodra. Por, patjetër duhen edhe afrime cilësore të tjera, qoftë me futbollistë shkodranë apo edhe të huaj.

Tashmë në krye të ekipit një trajner si Martini, me të cilin jeni shpallur kampionë si futbollistë. Zgjedhja dhe figura e duhur?

Edi Martini është njeriu i duhur për Vllazninë. Kishte vite që kërkohej një rikthim i tij dhe unë mendoj se ai e njeh mjaft mirë ambientin e futbollit në qytet. E ndien fanellën e Vllaznisë e po ashtu edhe kritikën e tifozëve. Uroj të jetë viti i tij dhe të ketë sukses, jo vetëm për veten apo klubin, por edhe gjithë qytetin e tifozët e tij.

Endri ÇINARI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu