Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2025-2026. Rikthimi në proçesin stërvitor pas kthimit nga Islanda ku kualifikimi në turin e tretë i iku nga duart për vetëm tre minuta, pasi nuk arritën të mbajnë në fuqi barazimin 2-2 që i kualifikonte kuqeblutë në turin e tretë të UEFA Conferencë League, nuk është aspak i lehtë për teknikun Martini, stafin teknik dhe vetë futbollistët, të cilët vijojnë ta vuajnë akoma psikologjikisht një gjë të tillë.
Megjithatë, përgatitjet që po zhvillohen në fushën sportive të Golemit, kanë vijuar të jenë me përkushtimin e duhur, pasi shumë shpejt vjen starti i Kampionatit Kombëtar të Superiores, ku Vllaznia pret në “Loro Boriçi” që në javën e parë të 23 gushtit ekipin kampion në fuqi të Egnatias.
Pozitive për stafin teknik është gjendja e mirë fizike e skuadrës duke pasur në gadishmëri të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Përjashtim bën vetëm portjeri gjerman Leon Pohl, i cili gjatë tre ditëve të fundit nuk është stërvitur me skuadrën. Një portjer që në fakt, nisur nga cv-ja e pasur e tij u prit mirë në opionin sportiv shkodran, madje duke besuar që të ishte formacionin e parë që në ndeshjen e parë me islandezet në Shkodër, por deri më tash, publiku nuk ka pasur mundësi ta shikojë në fushë me ndeshjet zyrtare.
Një mundësi e tillë, jo vetem për portjerin gjerman Leon Pohl, por edhe për të ardhurit e tjerë, përfshirë edhe tre senegalezë, të ardhur nga ekipi Vllaznia Elite në Milano, të cilët presidenti i kësaj skuadre, Benard Gjekaj, ia ka rekomanduar kuqebluve, mund të jenë miqësoret e kësaj jave.
Miqësore këto, që për teknikun Martini pritet të jenë teste serioze sa i përket projektimit të formacionit të parë që pritet të hedhë në fushën e lojës për ndeshjen inaugurare të kampionatit të ri të Superiores, ku me datë 23 gusht, në stadiumin “Loro Boriçi” përballen, Vllaznia-Egnatia.