Vllaznia e basketbollit për meshkuj është skuadra e parë nga kontigjenti i lojrave me dorë të klubit Vllaznia që ka nisur nga puna për sezonin e ri sportive 2025-2026. Presidenca me ne krye Sokol Dibrën, pikë së pari formatimin e skuadrës e ka nisur nga trajneri, ku Eni Llazani, do të vijojnë punën në krye të këtij ekipi.
Llazani zëvendësoi sezonin e kaluar kolegun e tij Damian Bekteshi, dhe pas një situate jo shumë të mirë ku pas disa humbje radhazi, skuadra rrezikoi seriozisht rënies nga kategoria e Superligës, mbyllja e sezonit ishte në mënyrën në të mirë, ku jo vetem u përfshi në fazën finale Play Off, por ishte pretendente serioze për titull.
Nga sa është bërë e ditur më herët, presidenca ka qënë në dilemë për vazhdimësinë e drejtimit të ekipit të parë nga trajneri Llazani, pasi në skenë doli edhe ish trajneri kuqeblu Damian Bekteshi për një rikthim të mundshëm si trajner i Vllaznisë, por pas një bisede kokë më kokë të presidentit Sokol Dibra me vetë Llazanin, me ketë të fundit është rënë dakort për një periudhë afat gjatë duke u fokusuar edhe më shumë tek trajnimi dhe zhvillimi i lojtarëve të rinj, me synim rritjen e talenteve vendase dhe forcimin e skuadrëskuqeblu në të ardhmen.
Ndërkohë, menjëherë pas konfirmimit të trajnerit Llazani, kanë ardhur shumë shpejt edhe dy firma të tjera shumë të rëndësishme për skuadrën. Bëhet fjalë për Robert Shestanin, i cili do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe për sezonin e ri sportive, 2025-2026.
Drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia shprehen të kënaqur dhe të shumë të lumtur që edhe se edhe për sezonin e ardhshëm, Robert Shestani do të jetë pjesë e skuadrës sonë, pasi gjatë sezonit të kaluar ai treguar vazhdimisht përkushtim, seriozitet dhe profesionalizëm, duke dhënë gjithçka për fanellën kuqeblu.
“Ky vazhdim është një hap i rëndësishëm për ekipin tonë dhe një mesazh i qartë se Vllaznia synon të ndërtojë mbi vlerat, punën dhe pasionin e lojtarëve që japin shpirtin për këtë skuadër. Me Shestanin në fushë, kemi besim se do të arrijmë akoma më shumë suksese dhe emocione për të gjithë tifozët tanë të mrekullueshëm.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Shoqatës së Basketbollit Vllaznia.
Por, jo vetëm Shestani, sepse me kuqeblutë e koshit ka firmosur edhe amerikani Ashton Parker, i cili sezonin e kaluar, iu bashkua Vllaznisë në fazën e fundit, ku tregoi profesionalizëm, përkushtim dhe shpirt sportiv.
Këtë sezon ai do të ketë mundësinë e plotë për të treguar vlerat e tij dhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në objektivat e skuadrës, pasi stafi teknim është i bindur se energjia dhe cilësitë e tij do ta ndihmojnë Vllazninë të synojë më lart. Këto janë firmat e para në ekipin e basketit meshkuj, ndërsa në ditët në vazhdim, priten edhe të tjera rikonfirmime, por edhe emra të rinj cilësor që priten të vijnë nga jashtë.