Tërbuni i Pukës që konkuron në Kategorinë e Dytë, vazhdon me intensitet fazën përgatitore verore, të cilën në këtë pragsezoni 2025-2026 ka vendosur ta zhvillojë në Tiranë.
E reja më e fundit në kampin pukjan është përfshirja në stafin teknik të trajnerit me përvojë të portjerëve Kastriot Rama, i cili njëherazi do të mbajë edhe postin e zëvendëstrajnerit përkrah trajnerit të parë, Anxhelo Suta.
Krahas proçesit stërvitor, Tërbuni po zhvillon ndeshje miqësore në kërkim të testimit dhe kolaudimit të skuadrës, ku së fundmi është përballur me ekipin Eagles, skuadër që debuton këtë sezon në Kategorinë e Dytë.
Miqësore kjo që rezultoi pozitive për Tërbunin, ku falë golave të shënuar nga Boni, Hurtado, Kamara, Emanuel, Karaj, fitoi me rezultatin 5-2.
Në vijim të miqësoreve përgatitore , skuadra pukjane ka planifikuar edhe një miqësore tjetër, ku këtë radhë do të udhëtojë në Librazhd për t’u përballur me Sopotin, një rival në Grupin A të Kategorisë së Dytë.
GANI PEMA



