Një rregull i pashkruar në sektorin e trajnimit, “formacioni fitues nuk ndryshon”, duket se do të zbatohet nga tekniku i Vllaznisë sot në ndeshjen e javës së katërt të Abissnet Superiore, ku kuqeblutë janë mysafir në Durrës për t’u ndeshur me skuadrën vendase Teuta në stadiumin “Niko Dovana”.
Dhe, ka të drejtë trajneri shkodran, nëse realisht do ta aplikojë një formulë të tillë edhe sot në Durrës, sepse të besuarit e tij përformuan në mënyrën më të mirë javën e kaluar duke mundur Partizanin me rezultatin e thellë 4-1.
Që do të thotë, se në portë do të jetë gjermani Leon Pohls, që falë edhe dëmtimit të rivalit të tij Aron Jukaj në ndeshjen e kombëtares U21, ka shansin të luajë ndeshjen e dytë si titullar në katërkëndorin kuqeblu.
Erdenis Gurishta, Elmando Gjini, Meros Bajrami, përbëjnë repartin e prapavijës, për të vijuar me Ardit Krymin, Edon Murataj, Sherif Kallakun, Andreji Jagon, Lirim Kastratin, në repartin e mesfushës, duke pasur në vijën e parë sulmuese, kapitenin Bekim Balaj së bashku me kolegun e tij, ganezin Çarls Bismark.
Një formacion ky, i cili pritet, që spektaklin e dhuruar javën e kaluar në “Loro Boriçi” ta shpreh edhe mbrëmjen e sotme në “Niko Dovana” të Durrësit, ku objektiv është fitorja tre pikëshe.



