Fitorja e fundit kundër Tiranës në shifrat 3-1 dhe ecuria shumë pozitive e Vllaznisë po kënaq këdo në Shkodër.
Për këtë moment të mirë të skuadrës shkodrane për “Panorama Sport” ka folur Kujtim Shaba. Ish-drejtuesi i klubit kuqeblu shprehet se ishte i bindur se Vllaznia do e fitonte “klasiken” edhe pas momentit të disavantazhit. Tekss thekson punën e mirë të bërë nga Martini dhe po ashtu sakrificat e drejtuesve për të ndërtuar një ekip të fortë.
Ku sipas Shabës, Vllaznia është pretendenti numër një për titull këtë edicion në Superiore. Ishmbrojtësi “shkëput” edhe një mendim për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, ku pavarësisht “sikletit” që mund të ketë ky duel, ai pret suksesin e kuqebluve në Vlorë.
Shaba, një fitore bindëse e Vllaznisë ndaj Tiranës së fundmi apo jo?
Them se po, pasi Vllaznia e meritoi totalisht këtë fitore të radhës dhe pavarësisht se ishte në disavantazh, skuadra reagoi shpejt. Duke barazuar dhe kaluar madje edhe ne avantazh brenda pak minutash, kjo si meritë e lojtarëve dhe cilësive të tyre. Por, edhe mentalitetit tashmë të skuadrës, që di të gjejë zgjidhje edhe në situata jo shumë pozitive. Diçka e tillë mungonte prej disa vitesh tek Vllaznia, ku tashmë shohim një ekip që nuk dorëzohet dhe ka besimin e plotë që mund të mposhtë çdo kundërshtar në kampionat.
Edhe pse ekipi u gjend në disavantazh, u duk sikur kishte forca për përmbysjen…
Personalisht edhe kur ekipi ishte në disavantazh isha totalisht i bindur që Vllaznia do fitonte. Kisha parashikuar në fillimin e sfidës mes miqsh që Vllaznia do fitonte 3-1 ose 4-1 dhe do kishte gol me penallti nga Balaj.
Bekimi (Balaj) ma prishi parashikimin (qesh) sepse ia la penalltinë Kastratit, që duhet vlerësuar shumë për lojën e tij. Por, përtej shakasë, isha i sigurt që Vllaznia do merrte 2 pikët në fund, duke parë kapacitetin e skuadrës dhe diferencën me ekipin e Tiranës. Që me gjithë respektin, nuk është në nivelin e kuqebluve këtë sezon.
Kujt i shkon merita për këtë ekip kaq simpatik?
Meritën kryesore dhe besoj se të gjithë janë dakord e ka Edi Martini. Ai ka harmonizuar skuadrën dhe ka risjellë në skuadër identitetin shkodran. Mungonte prej disa kohësh kjo frymë dhe kjo “fytyrë” e Vllaznisë, patjetër edhe Sinani dhe pjesa tjetër e stafit kanë meritën e tyre. Duke mos përjashtuar as futbollistët në fushën e lojës, pasi ata janë që të dërgojnë drejt fitoreve dhe sukseseve.
Ishin lëvizjet në merkato të duhurat?
Absolutisht që po, pasi po shohim protagonistë Gjinin, Muratajn, Kallakun dhe Kastratin. Të cilët po e rrisin nivelin e tyre nga ndeshja në ndeshje në të mirë të skuadrës. Po ashtu pres të shikoj edhe Bismark, pavarësisht se mungesa e tij nuk është se po ndihet shumë. Presidenca ka bërë sakrifica këtë sezon për të ndërtuar ekip pretendent dhe duhet shpërblyer. Nuk është kollaj të mbash në skuadër futbollistë kaq cilësorë dhe të menaxhosh siç duhet situatat.
Çfarë mund të presim më tepër nga skuadra?
Sërish pres të përmirësohet sepse i ka mundësitë, mund të duket klishe kjo shprehje, por realisht i ka. Sepse ende nuk është në 100% të tijin Kallaku, po ashtu Kastrati besoj tani ka “ngrohur” motorët e ndërsa sërish them se ka potencial akoma më shumë nga Murataj dhe Bismark. Po ashtu skuadra t’i ruhet euforisë sepse ajo është diçka që e dëmton më së shumti një skuadër që kryeson kampionatin.
Është Vllaznia pretendente numër një për titullin?
Po, mund ta them me plot gojën sepse për mua ka diferencë me skuadrat e tjera. Është ndërtuar për kampion dhe duket në rrugën e mbarë, por ka ende shumë rrugë përpara. Megjithëse kam besim se do jetë sezoni i duhur për t’u rikthyer tek titulli kampion pas 25 vitesh mungesë.
Mesjava e gjen ekipin në Vlorë kundër Flamurtarit, si e parashikon një duel të tillë?
Nuk do jetë një ndeshje e lehtë sepse Flamurtari në pozitën ku është do kërkojë medoemos pikë. Pasi nuk ka edhe se çfarë të humbasë në këto momente të kampionatit. Gjithashtu luan edhe në shtëpi e ky mund të jetë disi avantazh për ta, por siç e theksova, Vllazninë e shoh me diferencë nga ekipet e tjera momentalisht. Dhe them se edhe kësaj radhe ia del me sukses dhe do kthehet në Shkodër me 3 pikë nga kjo ndeshje.
ENDRI ÇINARI



