KF Shkodra është në rrugë të mbarë! Krahas ekipit të rritur që po konkuron në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë, po i kushton një rëndësi të veçantë edhe ekipit të moshave, aty ku tradita dhe faktet flasin vetë, pasi nga gjirin i ekipeve zinxhir të këtij klubi kanë dalë emra shumë të spikatur talentesh që po luajnë me sukses edhe në kombëtaren e Shqipërisë.
Por, në të njëjtën kohë, drejtuesit e KF Shkodra e shikojnë me përparësi edhe thithjen e talenteve të huaja në moshë të re, për t’i përgatitur dhe përpunuar në ekipet e tyre në mënyrë që të kontribuojnë dhe të rriten profesionalisht.
Konkretisht, me ardhjen e sponsorit të ri zyrtar Florenc Marku të kompanisë, Flaer, Spar, ky i fundit së bashku me drejtuesin Rudi Piraniqi, firmosen me talentin e ri nga Nideria, Ebikemiebornimughan Austine Preye.
Pa u mbushur 24 orë nga mbërritja e tij në Shkodër, Ebikemiebornimughan Austine Preye u përfshi si titullar në përballjen që ekipi KF Shkodra U19 kishte me Shkëndinë U19. Ndeshje kjo, e cila u mbyll me rezultatin 1 me 0 në favor të Shkodrës, ku goli i vetëm i krejt ndeshjes u shënua nga nigeriani Ebikemiebornimughan Austine Preye.
Një paraqitje fantastike e këtij futbollisti, që e ka lënë të kënaqur edhe drejtuesit e Akademisë Shkodra, Rudi Piraniqi, i cili shprehet, se ky është vetem fillimi. Më tej, Piraniqi bën të ditur se Akademia Shkodra këtë sezon ka rreth 220 fëmijë dhe luan në kampionat me 12 skuadra.Viti 2026 është 30 vjetori i krijimit të KF Shkodra ku përgatitjet për festimin e këtij përvjetori, kanë nisur.
Gaspër MARKU



