Në një moment ku çdo pikë peshon si gur themeli në rrugëtimin drejt Kategorisë së Parë, Besëlidhja zbret sot në fushën e saj në Lezhë për t’u përballur me Adriatikun. Atmosfera në skuadër është e mbushur me vendosmëri, profesionalizëm dhe besim. Çdo sfidë konsiderohet një test karakteri, ndërsa trajneri dhe lojtarët mbeten të fokusuar vetëm në një drejtim: FITOREN!
Në këtë intervistë, trajneri Elvis Plori zbulon qasjen e ekipit, arsyet pse rivalët mobilizohen maksimalisht ndaj Besëlidhjes dhe ndikimin e kushteve atmosferike në përgatitjet e javës.
INTERVISTA;
1. Besëlidhja luan sot në Lezhë me Adriatikun, si e keni vlerësuar këtë ndeshje dhe çfarë prisni prej saj?
– Ndeshjen me Adriatikun e vlerësojmë si gjithë ndeshjet e tjera, sepse vlen 3 pikë. Për rrjedhojë, rëndësia e saj është e njëjtë, si me çdo skuadër brenda apo jashtë fushës tonë. Në asnjë mënyrë nuk ka tolerancë; përkundrazi, vlerësim maksimal dhe përqendrim për të fituar çdo top dhe çdo duel në çdo repart të fushës. Pres nga skuadra seriozitetin e duhur dhe profesionalizmin që duhet të na shoqërojë në çdo sfidë.
2. Ndaj Besëlidhjes të gjitha ekipet mobilizohen të luajnë fort, gjë e cila pritet edhe nga Adriatiku. Pse ndodh kështu sipas jush?
– Normalisht ndaj nesh të gjitha ekipet mobilizohen maksimalisht, sepse ato e dinë se kemi bërë investime dhe kemi krijuar një skuadër e cila po bën mirë deri tani. Shumë sportistë të skuadrave kundërshtare duan të tregojnë se vlejnë për të qenë pjesë e Besëlidhjes në të ardhmen. Ka edhe drejtues të ekipeve kundërshtare që duan të tregojnë se janë të denjë përballë nesh. Gjithsesi, shpresoj që të luhet lojë e drejtë dhe e fortë për të gjithë, dhe fitoftë më i miri.
3. Temperaturat e ftohta dhe reshjet e shiut të këtyre ditëve, a kanë ndikuar në stërvitjen e ekipit?
Të them të drejtën, kushtet atmosferike nuk kanë qenë optimale për t’u stërvitur në fushat me bar natyral, siç kemi fushën tonë të stërvitjes. Pavarësisht kësaj, në pjesën më të madhe të seancave kemi marrë atë që duhet, ndërsa pjesën tjetër e kemi kompensuar me palestër dhe me fushën e mbyllur, edhe pse me dimensione më të vogla. Jam shumë i kënaqur me kushtet që janë krijuar falë investimeve dhe kujdesit të shtuar të presidencës, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, në funksion të objektivit tonë për këtë sezon: daljen në Kategorinë e Parë. Për t’iu rikthyer ndeshjes – Besëlidhja sot luan vetëm për 3 pikë.
Epilog…
Ndërsa ora e ndeshjes afrohet, mbetet e njëjta bindje që ka shoqëruar skuadrën gjatë gjithë sezonit: Besëlidhja është gati të luftojë çdo minutë, çdo duel dhe çdo top për të arritur qëllimin e madh. Çdo ndeshje është një gur tjetër në murin e objektivit final. Skuadra ecën përpara me personalitet, mbështetje dhe besim – dhe rruga drejt Kategorisë së Parë ndriçohet ndeshje pas ndeshjeje. Fundi i fjalës mbetet i fushës, por shpirti i skuadrës është tashmë i padiskutueshëm. Besëlidhja sot luan për të marrë tre pikët e radhës, në ndeshjen
përballë Adriatikut, dhe pritet të mbështetet nga një numër i madh i tifizërisë së zjarrtë lezhjane.
Intervistoi dhe përgatiti:
Martin DEDAJ (Gazetar dhe komentator sportiv)



