Saturday, January 10, 2026

(Intervista) Misho Çausheviq: “Vllaznia është ekip model në të gjitha drejtimet, e meriton trofeun e titullit këtë sezon”. Ish basketbollisti i njohur i Jugosllavisë dhe administrator i Qëndrës, “ Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin, vlerëson kuqeblutë për minifazën dimërore ulqinake

Lexo

- Reklamë -spot_img

I ka pritur paraditen e datës 2 janar 2026 kur ekipi i Vllaznisë mbërriti në Ulqin për fazën përgatitore dimërore, ka qëndruar përgjatë të gjithë këtyre ditëve pranë skuadrës kuqeblu duke i plotësuar çdo shërbim që ato kishin nevojë, dhe pasditen e sotme, i ka përcjellë përsëri për në Shkodër, pasi të shtunën kuqeblutë luajnë ndeshjen e Kupës me Pogradecin.

Ky është Misho Çausheviq, një nga emrat e mëdhenj të basketbollit të ish Jugosllavisë, ndërkohë që sot është pronar dhe administrator i Qëndrës Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin, aty ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Edi Martini u stërvit për plot një javë në kuadër të një minifaze përgatitore dimërore.

Nuk është hera e parë, që Misho pret në kampingun e tij sportiv, Vllazninë, pasi bashkëpunimi me kuqeblutë është i hershëm, që në kohën kur në presidencë ishte i ndjeri Myftar Çela, për të vijuar edhe me pasuesit e tij, treshen: Agron Çela, Valter Fushaj dhe Xhevdet Amuli, ndërkohë që gjatë periudhës së viteve të fundit vijon bashkëpunimin me presidentin aktual të KF Vllaznia, Alban Xhaferi.

Ai, në të vertetë është në pozitat e një biznesi që ia afron klubit shkodran ambientet e tij stërvitore, por njëherazi, ashtu si edhe shumë ulqinakë të tjerë, është një tifoz i thekur i Vllaznisë. Dhe, kjo konstatohet teksa e shikon të pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” sa herë luan Vllaznia.

Në një intervistë të dhënë për Veriu Sport, Misho Çausheviq, flet me shumë respekt dhe konsideratë për ekipin kuqeblu duke e konsideruar një ekip model në të gjitha drejtimet, i cili sipas tij e meriton trofeun e titullit kampion këtë sezon futbollistik”.

Misho, në Qëndrën tuaj Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin patët për një javë më radhë Vllazninë, cila është përshtypja e juaj për ditët ulqinake që kuqeblutë kaluan këtu?

Jemi shumë të kënaqur të gjithë si staf i qëndrës që KF Vllaznia, vit për vit bën përgatitje dimërore në Ulqin dhe konkretisht në qëndrën tonë futbollistike Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin. Ulqini dhe Shkodra janë kojshi dhe si vllazen, dhe këtu Vllaznia është si në shtëpinë e vet. Këtu ka shumë tifoz, të cilët janë ndjekës të përhershëm të Vllaznisë prej vitesh. Ndër to duhet të veçoj nji person të madh, siç është Cufo Kapllani, me të vertetë që e don me zemër Vllazninë, të cilën e ka ndjekur, jo vetëm në stadiumin e Shkodrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Një sëmundje rëndë e ka penguar vitet e fundit të jetë në stadium, por aty e ka zemren vazhdimisht.

Ju keni qënë shumë pranë çdo seance stërvitore, si e vlerësoni atë?

Jua them me shumë sinqeritet dhe kjo që po them është mëse e saktë: Kam parë dhe konstatuar një skuadër model në të gjitha drejtimet. Për t’u marrë shembull nga ana disiplinore, shumë e përkushtuar në zbatimin e proçesit stërvitor dhe me një marrëdhënie super mes futbollistëve dhe stafit teknik me në krye trajnerin Edi Martini dhe drejtorin sportiv, Vioresin Sinani.

Shqipëria, por edhe Shkodra, ka qënë e përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje në disa zona, po në Ulqin, si ka qënë situata?

Ka pasur edhe këtu ditë me shi dhe pak erë, por kushtet e terrenit në Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin kanë qënë ideale. Vllaznia, nuk ka humbur asnjë seancë stërvitore për shkak të kushteve të motit. Për disa ditë ka pasur në program edhe nga dy seanca në ditë.

Ju e njihni mirë futbollin shqiptar, si e parashikoni Vllazninë e pjesës së dytë të sezonit?

Ne të tanë si ulqinak, përfshirë edhe mua, mendojmë se Vllaznia mbas këtyre ditëve përgatitore këtu, jan gati me marrë një rezultat shumë të mirë në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë të shtunën me Pogradecin. Por, të njëjtën gjë mund dhe duhet ta bëjë edhe të mërkurën e ardhshme në Kampionat ndaj ekipit të Egnatias së Rrogozhinës.

Janë dy ndeshje të rëndësishme për Vllazninë, të cilat duhet patjetër t’i kalojë me sukses, nëse kërkon të vijojë të jetë lidër në kampionatin shqiptar, pasi edhe tradita e Shkodrës me tifozët e mrekullueshëm që ka, e meritojnë të jetë kampion. Kam bindjen e plotë se këtë sezon, Vllaznia do të arrijë ta fitojë trofeun e titullit kampion.

A do të vijojnë bashkëpunimet Shkodër-Ulqin?

Vllaznia është e mirëpritur në Ulqin. Qëndra Futbalski Centar “Çausheviç” Ulqin, është shtëpia e Vllaznisë dhe të gjitha skuadrave shkodrane të futbollit, por edhe të Shqipërisë. Falenderoj stafin e KF Vllaznia me kryetarin Alban Xhaferi, drejtorin sportiv Vioresin Sinani, trajnerin  e skuadrës, Edi Martini dhe tanë lojtarët për respektin, disiplinën dhe moralin që treguan gjatë kohës që qëndruan në Ulqin. Me plotkuptimin e fjalës, një skuadër model në të gjitha drejtimet, e cila duhet marrë si shembull nga të gjitha klubet e tjera të futbollit.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img