Monday, January 26, 2026

(Video) Ceremoni-KF Vllaznia nderon mjekun sportiv Zyhdi Çoba në 83-vjetorin e lindjes. Edhe 100 të tjera “Emblema e Vllaznisë”!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Zyhdi Çoba-Mjeku sportiv i KF Vllaznia dhe i kombëtares kuqezi, por edhe ish basketbollisti kampion i Vllaznisë, i Studentit dhe Kombëtares së Shqipërisë, ka mbushur plot 83 vjet nga lindja e tij.

Në këtë ditë të shënuar, KF Vllaznia e ka nderuar doktor Çobën me një ceremoni festive të organizuar përpara fillimit të ndeshjes Vllaznia-Partizani e vlefshme për javën e 21-të të Superiores, aty ku në shenjë respekti për kontributin shumëvjeçar që Zyhdi Çoba, ka dhënë si mjek pranë KF Vllaznia, presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, i ka dorëzuar një tufë me lule të freskta.

Urimit të përcjellë nga ana e njëshit të KF Vllaznia për doktorin sportiv Zyhdi Çoba, i janë bashkuar edhe duartrokitjet e shumta nga ana e tifozëve kuqblu në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Një urim të ngohtë, shumë miqësor dhe me respektet maksimal ndaj figurës së Zyhdi Çobës, përcjell edhe Portali Veriu Sport: Edhe 100 emblema e Vllaznisë! Edhe për shumë vite pranë sportit, shoqërisë dhe sidomos familjes së nderuar Çoba!

Kush është Zyhdi Çoba?

Basketbollist me ekipin e Vllaznisë që prej vitit 1959, ku nën drejtimin e trajnerit Esat Haxhi arrin kulmin në vitin 1967 duke u shpallur kampion kombëtar, dhe në vijim fiton dy Kupa Republike përkrah kolegëve të nderuar Vehdi Ademi, Renato Radoja, Skënder Osmani, Luan Shatku, Valter Kalaja, Filip Guraziu, Roland Koka.

Gjatë këtyre viteve ka qënë pjesë edhe e ekipit kombëtar, ku spikatjen më të madhe e kishte me fitimin e medaljes së artë në  Festivalin e Rinisë dhe të studentëve, zhvilluar në Helsinki të Finlandës.

Pjesë e karrieres sportive të Zyhdi Çobës është edhe konkurimi me ekipin e Studentit, periudhë kjo kur ai ndjek studimet e larta në degën e mjekësisë. Pas diplomimit, për doktor Zyhdinë fillon një etapë tjetër bashkëpunimi me klubin Vllaznia, sepse krahas disa angazhimeve në disa institucione të tjera, ai do të ishte pjesë e pandarë e Vllaznisë për një periudhë të gjatë 67 vjeçare që vazhdon edhe sot e kësaj dite duke gëzuar respektin maksimal të të gjithë sportistëve, trajnerëve dhe dejtuesve kuqeblu.

Por, jo vetëm, sepse falë aftësive të tija profesionale, doktor Zyhdi Çoba do të preferohej nga Federata Shqiptare e Futbollit për të shoqëruar ekipet kombëtare, ku krahas ekipit të parë, vitet më të shumta i ka kaluar pranë kombëtares U21 dhe periudhën e fundit edhe me kombëtares futbollit femra, si dhe kombëtaret e tjera të moshave.

Nuk është vetëm futbolli që e preferonte ta kishte pranë doktor Zyhdinë, sepse pothuaj edhe të gjitha federatat e tjera sportive të Shqipërisë janë shoqëruar nga doktor Çoba në aktivitetet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit.

Për të gjitha këto, Zyhdi Çoba, përfshirë kontributet e tij si basketbollist me Vllazninë, Studentin dhe ekipin kombëtar, dhe në vazhdim edhe si mjek sportiv, është nderuar me çmime dhe tituj të ndryshëm:

“Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak Shkodër me motivacionin: “Një nga figurat më të shquara të mjekësisë sportive në qytetin e Shkodrës. Për kontributin 40 vjeçar në shërbim të gjithë sportistëve e veçanërisht të futbollistëve për arritjen e rezultateve të larta sportive.”, “Medalje” për shërbime ndaj popullit, për punë shembullore në drejtim të ruajtjes së shëndetit të popullit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor,  “Mirënjohje” nga Komuna Ulqin me motivacionin: “Dr. Zyhdi Çobës për kontributin e dhënë në zhvillimin e turizmit sportiv në Ulqin”, “Mjeshter i Madh” nga Presidenti i Republikes, Ilir Meta me motivacionin “Ne shenje vleresimi per kontributin e çmuar ne mjekesine sportive, si mjek ne skuadren e futbollit Vllaznia dhe ekipin kombetar. I dalluar per profesionalizmin e tij ne dobi te rritjes dhe permiresimit te shendetit te sportisteve cilesore”.

Me urimin e KF Vllaznia dhe padyshim edhe të gjithë sportdashësve shkodranë dhe më gjërë, prej të cilëve Zyhdi Çoba meriton respekt, bashkohet edhe portali Veriu Sport: Edhe 182 vite të lumtura për ju, doktor Zyhdi Çoba, miku dhe dashamiri i afërt, jo vetëm i sportistëve, por të gjithë komunitetit të Shkodrës dhe më gjërë!

(Video) Pamje nga ceremonia e organizuar nga KF Vllaznia në stadiumin “Loro Boriçi” me rastin e ditëlindjes së 83-të të mjekut sportiv shkodran, “Emblemes së Vllaznisë”,  Zyhdi Çoba.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img