Sot hesht fusha por legjenda flet përjetësisht,ndërsa sporti gjirokastrit përulet para kujtimit të një figure që bëri epokë.
Miço Çaro nuk ishte thjesht një emër në fushën e blertë,ishte simboli i sigurisë dhe i pasionit të pashuar.
Si portier ai ishte gardiani i pathyeshëm që me dorezat e tij mbrojti jo vetëm portën,por edhe krenarinë e një qyteti të tërë.
Më pas këtë talent e shndërroi në mision,duke u bërë trajneri që dallonte shkëlqimin te çdo i ri,duke gdhendur me durim talente që do të ndiqnin gjurmët e tij.
Ndonëse u nda fizikisht në moshën 90-vjeçare stili i tij autoriteti në fushë dhe dashuria për lojën do të mbeten të gjalla në çdo brez që do të prek topin në atë fushë blertë.
Postimi i Zyrës Rajonale të Futbollit Gjirokastër
Lamtumirë Miço Çaro,
Legjenda që mbrojti portën dhe historinë tonë!
Sot, Gjirokastra dhe bota e sportit u zgjuan me dhimbjen për humbjen e një prej ikonave të saj më të ndritura. Në moshën 90-vjeçare, ka mbyllur sytë përgjithmonë Miço Çaro, njeriu që për dekada nuk ishte thjesht një portier, por simboli i pathyeshmërisë në fushën e blertë.
I lindur në Suhë, Miçua ia dedikoi jetën sportit me një pasion që rrallë shihet. Pas studimeve në ILKF “Vojo Kushi”, ai nuk ishte vetëm mësuesi i edukimit fizik në shkollën “Koto Hoxhi”, por u kthye në mentorin e brezave të tërë. Ai nuk i mësoi nxënësit vetëm si të luanin futboll, por si të donin me shpirt qytetin dhe fanellën bluzi.
Historia e ekipit të Luftëtarit nuk mund të shkruhej pa emrin e tij. Miçua ishte shtylla e ekipit legjendar nënkampion të vitit ’78-’79, duke u bërë frymëzim për çdo djalë të ri që ëndërronte të vishte dorezat e portierit. Nga duart e tij dolën emra si Ksenofon Çaro, Çumaku, Lamaj e Guri. Një plejadë kampionësh që u rritën nën udhëheqjen e tij plot urtësi.
Edhe në emigrim, zemra e tij rrahu gjithmonë për futbollin, duke shërbyer si trajner në Greqi, por mendjen e mbajti gjithmonë te kalaja e tij, te Gjirokastra që e shpalli “Qytetar Nderi” dhe e renditi si portierin më të mirë të shekullit.
Sot, portat e qiellit hapen për një kampion. Kontributi, përkushtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten të gdhendura në kujtesën e çdo sportdashësi gjirokastrit.
Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Çaro dhe dy vajzave të tij.
Dhimbja juaj është dhimbja e të gjithë qytetit.
U prehtë në paqe, Profesor Miçua!
Emri juaj do të jetojë sa vetë Luftëtari!
Fatos LAMAJ



