Botërori 2026-Portugalia shkatërron Uzbekistanin. Kristiano Ronaldo shkëlqen me dygolësh

Lexo

- Reklamë -spot_img

Portugali-Uzbekistan 5-0(Shënues:Ronaldo 6’, 39’, Mendes 17’, Nematov 69’(aut), Leao 87’)

Portugalia ka dhënë një deklaratë të fortë në Grupin K të Kupës së Botës 2026 duke mposhtur me rezultatin e thellë 5-0 Uzbekistanin në një sfidë ku luzitanët dominuan nga minuta e parë deri në të fundit.

Në qendër të vëmendjes ishte sërish Kristiano Ronaldo i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi ekipin drejt suksesit të dytë në turne.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për portugezët ku vetëm në minutën e 6-të Ronaldo gjeti hapësirën e duhur në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë duke zhbllokuar rezultatin dhe duke ndezur festën e tifozëve portugezë.

Goli i hershëm i dha qetësi skuadrës së Roberto Martinez e cila vazhdoi të sulmonte pa pushim.

Presioni i vazhdueshëm solli edhe golin e dytë në minutën e 17-të.

Nuno Mendes finalizoi me sukses një aksion të bukur të Portugalisë dhe dyfishoi avantazhin duke e vënë Uzbekistanin në vështirësi të mëdha.

Aziatikët tentuan të reagojnë por hasën në një mbrojtje të organizuar dhe në një kundërshtar shumë superior në çdo repart.

Pak para fundit të pjesës së parë erdhi edhe goditja e radhës.

Në minutën e 39-të Kristiano Ronaldo realizoi golin e tij të dytë personal në takim duke vulosur praktikisht fatin e sfidës që para pushimit.

Sulmuesi legjendar vazhdon të tregojë se mosha është vetëm një numër teksa mbetet pika kryesore e referimit në sulmin portugez.

Me rezultatin 3-0 pjesa e dytë u kthye në një monolog të Portugalisë.

Luzitanët kontrolluan zotërimin e topit dhe krijuan raste të shumta për gol ndërsa Uzbekistani u përpoq të kufizonte dëmet.

Megjithatë në minutën e 69-të erdhi edhe goli i katërt kur portieri Nematov devijoi topin në portën e tij pas një aksioni të rrezikshëm të portugezëve duke shkaktuar autogolin që e çoi rezultatin në 4-0.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit Portugalia gjeti edhe golin e pestë dhe në minutën e 87-të Rafael Leao kurorëzoi një paraqitje të shkëlqyer të ekipit të tij me një finalizim të saktë duke vendosur shifrat përfundimtare 5-0.

Me këtë fitore bindëse Portugalia hedh një hap të madh drejt fazës së ardhshme të Kupës së Botës dhe konfirmon statusin si një nga ekipet më të forta të turneut.

Nga ana tjetër Uzbekistani pëson një humbje të rëndë që komplikon ndjeshëm objektivat e tij në Grupin K.

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img