Ndonëse në pamje të parë, Vllaznia shfaqet me problemet e bllokimit në merkato, në radhët e saj vijojnë të zyrtarizohen futbollistë, nga brenda dhe jashtë vendit.
Pas binjakëve Simon dhe Sokol Uldedaj që në fakt janë prodhim i Akademisë së Futbollit Vllaznia, i pari për prapavijën dhe i dyti për sulmin, mbrëmjen e sotme, kuqeblutë kanë prezantuar një tjetër sulmues.
Këtë radhë, ai vjen nga jashtë vendit dhe është 24-vjeçari nga Venezuela Daniel Perez, i cili ka firmosur kontratë 2 vjeçare me KF Vllaznia.
“DANIEL PEREZ ËSHTË KUQEBLU!
Eksperiencë europiane. Fuqi në sulm. Ambicie për gola.
Sulmuesi venezuelian Daniel Perez vjen në Shkodër pas eksperiencave me Club Brugge, Oostende, Lokeren dhe Nea Salamis, si dhe aktivizimeve me përfaqësueset e moshave të Venezuelës.
24-vjeçari ka firmosur kontratë 2 vjeçare me KF Vllaznia.
Mirë se vjen në Shkodër, Daniel! Tash… fol me gola! ”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KF Vllaznia.


