Futbolli shkodran ka humbur një prej futbollistëve veteran, i cili për shumë vite ishte pjesë e Vllaznisë së elites.
Bëhet fjalë për Myzafer Manin, i cili ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare duke lënë pas kujtime të çmuara, ku gjatë karrieres së tij sportive ka luajtur për Vllazninë dhe Besëlidhjen.

Me skuadrën kuqeblu, Myzafer Mani pati fatin të luante luajtur përkrah emrave të spikatur të futbollit shkodran, duke nisur nga Paulin Ndoja, Ahmet Meta, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Zyhdi Basha, Hajrullah Lekaj, Suat Durraj, Menduh Dedja, Çesk Ndoja, Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Halil Puka, Rauf Çanga, Viktor Plumbini, Lek Koçobashi, Millan Vaso, Selami Dani, Myzafer Qeraj, etj.
Një brez ky i shkëlqyer, i cili nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Xhevdet Shaqiri, në vitin 1972 arriti të fitojë të dy trofetë, Kupën e Republikës dhe Kampionatin Kombëtar.
Ndërkohë, emri i Myzafer Manit do të spikaste edhe tek Besëlidhja e Lezhës duke kontribuar në arritjen e rezultateve pozitive.
Tek Besëlidhja, Myzi, siç e thërrisnin shokët e skuadrës por edhe tifozët, kishte në ekip të mirënjohurit, Sokol Pelingu, Nikolin Lorenci, Sulo Balla, Prodan Rrokaj, Shaqir Xhabiri, Hajro Haka, Fran Leka, Ferdinand Kola etj, duke përfshirë edhe futbollistët e Vllaznisë që luanin aso kohe në Lezhë, si Ahmet Meta, Egerçi, etj.
Krahas aktivitetit të tij si futbollist Myzafer Mani kreu për disa vite edhe detyrën e trajnerit të futbollit të moshave, duke përgatitur dhe nxjerrë nga duart e tij emra futbollistësh që luajtën më vonë për Vllazninë e madhe, por edhe në ekipe të tjera të futbollit shqiptar.
Mjat interesante dhe që do të mbahen mend gjatë janë edhe ndeshjet e shumta që Myzi zhvilloi me ekipin e veteranëve të futbollit shkodran duke u ballafaquar me ekipe veteranësh të futbollit shqiptar, por edhe jashtë vendit.
Portali Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Mani për humbjen e njeriut të tyre të afërt si dhe komunitetit të futbollit shkodran dhe atij lezhjan për humbjen e kolegut të tyre të nderuar të fushës së lojës.
Lamtumirë Myzi, pushofsh në paqe! I përjetshëm kujtimi yt!
Gaspër MARKU, 7 gusht 2026


