Kuqeblutë e Vllaznisë janë gati për sfidën e parë europiane, atë që do të luhet të enjten e 8 korrikut në transfertë ndaj KF Siroki Brijeg. Paraditja e së martës ka në program seancën e fundit stervitore, e cila është planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndërkohë që menjëherë pas saj, zyra e shtypit pranë Klubit të Futbollit Vllaznia ka planifikuar po në mjediset e stadiumit organizimin e një konference për shtyp, ku përpara gazetarëve do të jetë trajneri kuqeblu, Thomas Brdariç.
Referuar situatës së pandemisë, rregullat e UEFA-s kërkojnë që të gjithë pjesëtarët e delegacionit që janë në listën e udhëtimit drejt Bosnjes t’i nënshtrohen testeve për Covid 19. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë klubi, teksa në faqen zyrtare të tij shkruan:“KF Vllaznia njofton se i gjithë ekipi ka kryer paraditen e sotme testet për COVID-19. Në zbatim të udhëzimeve të protokollit shëndetësor të UEFA-s për ndeshjet e Kupave të Europës, të gjithë lojtarët dhe stafi që do të udhëtojë nesër me ekipin drejt Bosnjë- Hercegovinës për ndeshjen ndaj FK Siroki Brijeg, iu nënshtruan tamponëve.”
Burime nga stafi mjekësor i Vllaznisë bëjnë të ditur se përgjithësisht gjendja shëndetësore e kuqebluve ka qënë OK gjatë të gjithë këtyre ditëve. Ndaj, edhe mbesin me shpresë se në përgjigjet që pritet të merren mëngjesin e së martës i gjithë kontigjenti kuqeblu të rezultojë negativ në mënyrë që skuadra të udhëtojë e plotë drejt Bosnjes për takimin e parë europian. Gjithnjë sipas stafit mjekësor, me përjashtim të ndonjërit që po trajtohet me seanca suplementare, për të shkuar tek 100 për qindëshi, edhe gjendja fizike e futbollistëve është në nivelin e duhur.
Sa i përket merkatos, me përjashtim të dy firmave të fundit, ato të mbrojtësit shtatlartë 19 vjeçar Klejdi Paloka, që vjen nga Akademia Vllaznia dhe mesfushorit-sulmues, Liridon Latifi, nuk ka emra të tjerë të shtuar në listën zyrtare të kuqeblubluve, të paktën për dy ndeshjet e para ndaj skuadrës boshnjake KF Siroki Brijeg.
Në fakt, ishte vetë klubi kuqeblu që tre ditë më parë bëri të ditur mbërritjen në Shkodër të mbrojtësit senegalez, Serigne Fallou Diagne. Futbollist ky 32 vjeçar me një Cv shumë të pasur, por duket se periudha e gjatë mbi një vjeçare jasht aktivitetit sportiv për arsye të dëmtimeve, nuk ka mundësuar gatishmërinë e tij në shërbim të skuadrës kuqeblu.