Vllaznia, pret më shumë nga sulmi. Në fokus, dyshja, Balaj-Perez

Lexo

- Reklamë -spot_img

Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri, por reparti ofensiv duket se mbetet një nga pikëpyetjet kryesore për trajnerin Edi Martini. Në miqësoren e fundit ndaj Tërbunit, të zhvilluar në Pukë, kuqeblutë fituan 2-0 falë golave të Kubazit dhe Muratajt, por dy sulmuesit kryesorë të skuadrës, Bekim Balaj dhe Perez, sërish nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës.

Në fakt, shqetësimi është te mungesa e vazhdimësisë përpara portës. Balaj, i cili pritet të jetë një nga pikat e referimit të Vllaznisë në sulm, ende nuk ka arritur të lërë gjurmë në këtë fazë përgatitore. Po kështu edhe Perez, i cili kishte një mundësi ideale për të zhbllokuar veten në përballjen me Tërbunin, por nuk arriti ta shndërronte në gol një 11-metërsh të akorduar në favor të kuqebluve. Pikërisht rasti i Perezit është ai që ngre më shumë pikëpyetje. Një gol nga pika e bardhë mund t’i shërbente jo vetëm për statistikat, por edhe për aspektin psikologjik, duke i dhënë sulmuesit më shumë besim përpara startit të sezonit. Megjithatë, ai gaboi dhe tashmë duhet të presë një tjetër mundësi për të thyer këtë ngërç dhe për të treguar se mund të jetë një alternativë e vlefshme në ofensivën shkodrane.

Në krahun tjetër, paraqitjet e Kubazit dhe Muratajt, që realizuan dy golat e fi tores në Pukë, janë padyshim një sinjal pozitiv. Por forma e mirë e lojtarëve të tjerë ofensivë nuk e zgjidh automatikisht problemin e sulmuesve kryesorë. Vllaznia ka nevojë për Balajn dhe Perezin në ritëm dhe mbi të gjitha për golat e tyre, nëse synon të jetë konkurruese në një sezon që pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë.

Kanë mbetur rreth dy javë nga starti i kampionatit dhe kjo situatë mund të konsiderohet si një kambanë e vogël alarmi për kuqeblutë. Koha është ende në dispozicion, por stafi teknik duhet të gjejë mënyrën për të zhbllokuar sulmuesit dhe për t’u dhënë atyre sigurinë e nevojshme përpara porte. Sepse në fund, për një skuadër që kërkon objektiva të mëdha, forma e mirë në përgatitje është e rëndësishme, por golat e sulmuesve janë ata që bëjnë diferencën kur fillojnë ndeshjet zyrtare.

ENDRI ÇINARI(Panorama Sport)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img