Një natë e paharruar do të jetë ajo që sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni, ka përjetuar me fanellën e Austin në Kupën e Ligës. Futbollisti beratas ishte protagonist absolut në ndeshjen kundër Puebla, ku shënoi 3 golat e fitores. Dhe këtë e bëri brenda 34 minutash në pjesën e parë.
Për Uzunin ishte tripleta e parë me fanellën e Austin. Pas ndeshjes ai mori topin me vete, ndërsa klubi amerikan ka postuar një video në rrjetet sociale, ku sulmuesi kuqezi shfaqet në versionin “Haaland”, duke i rënë daulles.
Dy golat e parë Uzuni i realizoi shumë shpejt, në minutat 4 dhe 7, ndërsa në minutën e 34-t kompletoi mbrëmjen e tij magjike. Goli i tretë ishte edhe më i bukuri për nga mënyra e realizimit, me një gjuajtje fluturimthi në hyrje të zonës.
Në fund festa ishte e gjitha për lojtarin e Kombëtares shqiptare, tashmë një titullar kyç në skuadrën amerikane.


