Kuqezinjtë janë në përgatitjet e fundit në prag të sfidës të së shtunës ndaj Bjellorusisë, e vlefshme për Nations League. Ditët përgatitore në Shtëpinë e Futbollit Tiranë i kanë shërbyer tekniku italian Rolando Maran të projektojë emrat e futbollistët të cilët do të hedhë në fushë nga minuta e parë mbrëmjen e 26 shtatorit në “Air Albania”,
Në portë projektohet Berisha,ndërsa përpara tij pritet të vendoset një linjë me katër mbrojtës.
Hysaj dhe Mitaj do të mbulojnë krahët ndërsa në qendër të mbrojtjes pritet të jetë dyshja Ismajli–Gjimshiti me kapitenin kuqezi që do të ketë një rol të rëndësishëm në organizimin e repartit të prapavijës.
Në mesfushë Shehu dhe Ramadani pritet të formojnë dyshen qendrore ku Shehu do të ketë më shumë detyra në fazën e rikuperimit të topit dhe në ruajtjen e ekuilibrave ndërsa Ramadani pritet të mar përsipër organizimin e lojës dhe nisjen e aksioneve nga prapavija.
Pak më përpara tyre Shqipëria pritet të mbështetet te Hoxha,Muçi dhe Kerjota ku të tre do të kenë detyrën të krijojnë hapësira të lëvizin mes linjave dhe të furnizojnë repartin e avancuar por edhe të bëhen të rrezikshëm me depërtimet e tyre.
Në majën e sulmit do të jetë Rei Manaj i cili pritet të shërbejë si pika kryesore e referimit në fazën ofensive.
Sulmuesi kuqezi do të kërkojë të mbajë të angazhuar mbrojtjen kundërshtare,të fitojë duelet dhe të shfrytëzoj furnizimet që do të vijnë nga tre lojtarët pas tij.
Në letër rreshtimi duket si një 4-2-3-1 me synimin për të pasur kontroll në mesfushë,siguri në prapavijë dhe më shumë alternativa në fazën sulmuese.
Shqipëria do të kërkojë të jetë kompakte pa top dhe të dalë shpejt përpara në momentin e rikuperimit,duke shfrytëzuar lëvizshmërinë e Hoxhës,Muçit dhe Kerjotës në mbështetje të Manajt.
Fatos LAMAJ


