Egnatia-Vllaznia 3-1(Shënues: Albaneze 9’(p), Adjesa 41’, Gruda 86’/Perez 59’)
Vllaznia u mund 3 me 1 nga Egnatia, ndeshje kjo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Arena Egnatia” në kuadër të javës së shtatë të Abissnet Superiore.
Ashtu siç pritej, kuqeblutë u futën në fushën e lojës me entuziasmin e fitores së javës së kaluar me Dinamon në “Loro Boriçi” me synimin për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.
Dhe, për hirë të së vertetes, me përjashtim të fillimit të ndeshjes, ku u ndëshkua me penalltinë e shpejtë të akorduar nga gjyqtari Ferataj, pjesa tjetër e lojës e kuqebluve ka marrë vlerësime pozitive nga ana e specialistëve të futbollit.
Ajo që ra në sy në këtë ndeshje, kishte të bënte me faktin që në momentet më të mira të lojës së Vllaznisë ku rastet për gol ishin flagrante, sidomos me Balajn, Muratajn dhe Qaton në pjesën e parë, si dhe me Perez në pjesën e dytë.
Pjesa e parë mbyllet me shifrat 2 me 0 për Egnatian me gola të shënuar nga Albaneze dhe Adjesa. Me fillimin e së dytës, një aksion model i nisur nga Murataj, përpunuar nga Balaj me pasin shumë të saktë për Perez, sjell golin e Vllaznisë.
2 me 1 për Egnatian dhe ndeshja duket krejtësisht e hapur, me një Vllazni që e shpëngull lojën në gjysmëfushën rrogozhinase në kërkim të golit të barazimit. Dhe, atëherë kur pritej goli i barazpeshës, prapavija kuqeblu gabon rëndë duke i dhënë mundësi Ildi Grudës të shënojë golin e tretë për Egnatian në minutën e 86-të.
Një gol shkodrani si ky i Grudës që luan për Egnatian, që edhe pse është shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij duke sjellë qetësinë e marrjes së një tripikëshi me vlerë, si ish i Vllaznisë nuk feston duke mbajtur duart lart.
Ky ishte goli nokautit për Vllaznisë, sepse më pas, megjithë përpjekjet dhe këmbënguljen në minutat e mbetura, asgjë nuk ndryshon dhe Egnatia fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 3 me 1.


