Pas përfundimit të kursit UEFA Goalkeeper A, të organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Federata e Futbollit, dy nga trajnerët e diplomuar, Ideal Lekiqi dhe Taulant Guma, kanë ndarë për fshf.org përvojën e tyre dhe rëndësinë e këtij programi për zhvillimin profesional të trajnerëve të portierëve.
Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Armand Duka për mundësinë e ofruar, duke vlerësuar nivelin profesional të kursit dhe kontributin që ai pritet të japë në përgatitjen e portierëve në futbollin shqiptar.
“Sinqerisht e falënderoj FSHF dhe Presidentin Armand Duka për mundësinë e këtij kursi kaq profesional, që jam i bindur që do të jetë një vazhdimësi shumë e mirë dhe një ndihmë shumë e madhe për portierët tanë që kanë një rol kyç në fushën e futbollit shqiptar.
Po ta marr në aspektin profesional, ishte një kurs që më ka ndihmuar shumë në përgatitjen profesionale dhe besoj që këto dije t’i arrij t’i shpreh sa më mirë në pozicionin dhe në punën time”, – u shpreh Lekiqi.
Ndërkohë, trajneri i portierëve të Egnatias, Taulant Guma, e cilësoi këtë program si një arritje të rëndësishme për trajnerët e portierëve në Shqipëri. Ai theksoi se një nga aspektet kryesore të kursit ishte integrimi i portierit në lojën taktike të skuadrës dhe bashkëpunimi i ngushtë mes trajnerit të portierëve dhe stafit teknik.
“Kursi ishte një arritje dhe zhvillim për të gjithë ne si trajnerë portierash që punojmë aktualisht në territorin apo trevat shqiptare. Kursi konsistonte në bashkëpunimin e trajnerit të portierave dhe integrimin e tij në lojën taktike të skuadrës. Që do të thotë, sot aktualisht duhet të kemi portiera të jenë të aftë të drejtojnë si rolin e vet, por edhe skuadrën në përgjithësi në detyrat taktike.
Mendoj që integrimi i portierit në këto nivele, në këto situata, ishte shumë i rëndësishëm për të kuptuar që trajnerët e portierave janë të një profili shumë të përafërt për të kuptuar punën, apo kërkesat që ka trajneri i parë në drejtim të direktivave të skuadrës, duke integruar edhe portierin”, – theksoi Guma.
Kursi UEFA Goalkeeper A nisi në maj të vitit 2025 dhe zgjati më shumë se një vit, duke përfshirë përgatitje teorike dhe praktike në përputhje me kërkesat e futbollit modern. Në përfundim të edicionit të parë, 15 trajnerë morën diplomën e këtij niveli të lartë kualifikimi, duke fituar njohuri të reja për t’i zbatuar në punën e tyre të përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të portierëve në futbollin shqiptar.


