Federata e Futbollit ka zhvilluar ceremoninë e nisjes së Akademisë së Arbitrimit VII, duke çelur zyrtarisht sezonin e shtatë të këtij programi, që synon përgatitjen dhe formimin e brezit të ri të arbitrave në Shqipëri.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e FSHF-së morën pjesë Drejtori Teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu, Drejtori i Departamentit të Arbitrimit në FSHF, Bernardino González Vázquez, kryetari i Shoqatës së Arbitrave të Futbollit Shqiptar (BASHF), Tahir Kastrati, si dhe sekretari i përgjithshëm i BASHF-së, Klajdi Kola.
Gjatë ceremonisë, Abdyl Kuriu, Bernardino González Vázquez dhe Tahir Kastrati mbajtën fjalime për të pranishmit, duke përcjellë mesazhe mbi rëndësinë e arbitrimit dhe mundësitë që ofron Akademia për të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij profesioni.
Pjesë e aktivitetit ishin aplikantë, djem dhe vajza, të cilët kanë shfaqur interes për të nisur rrugëtimin e tyre në botën e arbitrimit. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe arbitrat shqiptarë me stemën e FIFA-s, Florjan Lata, Eglantina Pjetrushaj dhe Ridiger Çokaj, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Akademia e Arbitrimit është një mundësi për të gjithë të apasionuarit pas futbollit që dëshirojnë të përgatiten profesionalisht dhe të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit shqiptar përmes rolit të arbitrit.
Aplikimet për Akademinë e Arbitrimit VII vijojnë të jenë të hapura. Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë kërkesën e tyre në adresën e emailit akademia@fshf.al . Për më shumë informacion mbi kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm, mund të vizitojnë edhe faqen e FSHF-së “Bëhu Arbiter” .
FSHF fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat që kanë pasion futbollin të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëhen pjesë e brezit të ri të arbitrave në Shqipëri.


