Ora 16:30 e së shtunës përballë në “Elbasan Arena”, Dinamon si pritëse dhe Teutën udhëtuese, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 15-të të Abissnet Superiore. Në prononcimin e dhënë në prag të kësaj ndeshje, trajneri dinamovit, Ilir Daja, e konsideron një ndeshje të barabartë, por beson në rikthimin tek fitorja nga ana e skuadrës së tij.
”Është një ndeshje midis situatave të barabarta. Klasifikimi është shumë i përafërt dhe diferenca me Teutën është prej 4 pikësh”.
“Vijmë pas barazimit me Skënderbeun në transfertë, që është pozitiv, siç e thashë dhe pas ndeshjes, sepse Korça është fushë e vështirë në kuptimin sportiv”.
“Jemi aty-aty me Teutën, kemi punuar që ato ‘armë’ të forta që ajo ka, t’i neutralizojmë. Një nga ato është presingu lart. Po ashtu duhet të kemi në fokusin tonë mbrojtës numrin 10 të tyre, pasi ka shpejtësi të konsiderueshme. Mungesa kemi si ne, edhe kundërshtari. Është një ndeshje midis situatave të barabarta, ku Dinamos i duhet patjetër të rikthehet te fitorja për të vazhduar rrugëtimin”.
“Gjithmonë ka presion në Superiore, vetë gara ka presion. Unë kërkoj maksimumin nga lojtarët dhe duhet ta menaxhojmë presionin gjatë gjithë kohës. Po nuk e bëmë, do të kemi shumë probleme”.
“Niveli i lojërave ka ardhur duke u ngritur. Më parë merrnim pikët dhe nuk ishte loja, tani loja ka ardhur, edhe pse ka goxha për të përmirësuar. Por ekipi ka marrë formë, kjo është garancia për të ulur presionin. Gjithmonë futemi në fushë për 3 pikët”.
“Golat e pësuar lehtë në ndeshjet e fundit? Po, por të mos harrojmë se disa lojtarë nuk janë në rolet e tyre natyrale. Një mesfushor që luan para mbrojtjes kohën e presionit nuk e ka njësoj si lojtari që luan si mbrojtës i fundit. Prej këtyre sakrificave, duke u ndryshuar pozicionin lojtarëve për ekipin kanë sjellë edhe ato gola të evitueshëm. Futbolli është sport gabimesh, shpresoj të mos na përsëriten më. Kemi punuar dhe shpresoj që gabimet t’i kemi më të pakta se në dy ndeshjet e fundit”.
“Një sportist gjykohet në vazhdimësi ndeshjesh. Lojtarët e stolit që luajtën në Korçë bënë ndeshje pozitive, tani duhet ta mbajnë që të dalim në konkluzionin se kemi një lojtar më shumë për ta hedhur në lojë”.
“Teuta e ka stil loje presingun ualtraofensiv me disa lojtarë, e bën gjithmonë. Duhet të gjejnë “armët” tona që ato që kemi punuar në stërvitje, t’i zbatojmë nesër. Çdo ekip është në presionin e pikëve, edhe pse ka edhe shumë pikë në lojë”, tha ndër të tjera trajneri dinamovit Ilir Daja, në prononcimin e dhënë një ditë para ndeshjes me Teutën.