Monday, November 25, 2024

Abissnet Superiore-Prag java e 34-të. Tekniku Plori: Na duhen tre fitore për zonën Europiane

Lexo

Edhe tre javë i duhen kategorisë Superiore për të mbyllur sezonin futbollistik 2021-2022. Këto tre javë, janë tre finale të verteta për skuadrën kuqeblu për të përmbushur objektivin e pjesëmarrjes në Kupat e Europës përmes kampionatit. Finalja e parë, është ajo që do të luhet nesër në transfertë me Tiranën, e cila, falë diferencës që ka me Laçin e vendit të dytë, që prej javës së kaluar ka siguruar titullin kampion. Pikërisht, 24 orë përpara zhvillimit të duelit Tirana-Vllaznia, apo klasikes së futbollit shqiptar, ka folur në konferencën për shtyp, trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori.

“Për ne është një sfidë me shumë interes, duke ditur edhe ngjeshjen e ekipeve dhe objektivat. Nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jemi baraz me pike me Partizanin dhe tre pikë para Kukësit, ka edhe tre ndeshje. Duhet të jemi seriozë dhe të bëjmë në fushë më të mirën. Është skuadër që nuk ka shkuar kot 20 pikë para. Ka element që bëjnë dallimin, duhet vlerësuar në maksimum. Nuk duhet të nënvlerësojmë. Nuk kemi kohë për gabime dhe rikuperime, janë tre ndeshje për të marrë maksimumin. Na duhen 9 pikë për Europën.”, tha fillimisht, tekniku Plori.

Tirana në këtë ndeshje, mund të ketë të dy anët e medaljes. Duke luajtur e qetë, pa presionin e rezultatit, mund të nxjerrë një ndeshje të mire për të marrë rezultat pozitiv, ose e kundërta, duke luajtur me elementin e ri, mund të përfitoj Vllaznia.

“Ne nuk duhet të merremi me Tiranën, të merremi me veten dhe të kemi angazhim në fushë si ndaj Kukësit. Duhet mos bëjmë një pjesë mirë dhe një keq, kemi bërë gabime. Të kemi mendjen te detyrat tona, jo çfarë bën Tirana. Të mendojmë për këtë duel, më pas për dy të tjerat”, tha më tej Plori, duke bërë të ditur se “Latifi është i gatshëm për këtë ndeshje, ndërsa Gjurgjeviç e ka të pamundur të kthehet edhe pas analizave të kryera.

Kartonat e kuq në limitin e ndeshjes së kaluar në “Loro Boriçi” me Kukësin dhënë në pankinë penalizojnë trajnerin e portjerëve Lekiqi dhe portjerin e dytë Qarri për klasiken Tirana-Vllaznia. “Me ardhjen time në stol, kolegu im Ideal Lekiqi është nxehur pak më shumë sesa duhet. Të qetësohet pak dhe mos transmetojë momente të tilla. Jemi Vllaznia, jemi Shkodra.”, tha Plori.

Në vijim, Plori, flet edhe sulmuesin Çoba, për të cilin realisht ka pasur jo pak reagime dhe kritika për t’i dhënë më shumë minuta në fushën e lojës. “Mendoj se Çoba, ka pasur vëmendje gjatë gjithë kohës, ka 22 ndeshje të aktivizuar. Pretendohet të jetë e ardhmja e klubit. Është viti i dytë këtu, ka edhe gjashtë ndeshje në Kupë. E kemi diskutuar pjesën e lojtarëve të Akademisë. Janë Paloka, Qarri, Smajli etj. Edhe Gurishta, po të kthehemi te viti i parë në ekip ka pasur 4-5 ndeshje. Jemi të bindur se kemi fituar futbollistë”, sqaroi Plori.

Ndërkohë, në mbyllje, i pyetur, nëse është i bindur që Vllaznia kthehet në Shkodër me fitore pas sfidës me Tiranën, Plori, përgjigjet: “I bindur nuk jam, 90 minuta do luhet futboll. Topi është i rrumbullakët. Duam një skuadër kërkuese me shumë entuziazëm në fushë. Ne na duhen tre fitore që mos merremi me ekipet e tjera. Do flasim vetëm për Vllazninë.”, mbylli konferencën për shtyp, njëshi i pankinës kuqeblu, Elvis Plori.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img