Monday, November 25, 2024

Abissnet Superiore-Sot dy sfidat e fundit të javës së 31-të, Vllaznia-Skënderbeu dhe Kastrioti-Egnatia

Lexo

Pas tre ndeshjeve të luajtura të premten, java e 31-të e kategorisë Abissnet Superiore, mbyllet sot me dy ndeshjet e tjera, Vllaznia-Skënderbeu dhe Kastrioti-Egnatia.

Në sfidat e djeshme, rezultati më surprizë ka qënë fitorja e thellë me rezultatin 4 me 1 e Teutës ndaj Kukësit. Një ndeshje ku ka spikatur shkodrani Rubin Hebaj me tre golat e shënuar në portën kuksiane. Fitore kjo që i shërben durrsakëve të të jenë më të qetë, sepse, për hirë të së vertetes, nga një skuadër kampione në fuqi, mungesa e rezultateve pozitive e përfshiu javët e fundit në rrezikun e rënies nga Superiorja.

Ndërkohë, humbja për Kukësin, ka qënë fatale, pasi i ka kushtuar atyre lënien e vendit të tretë në renditje. Pozicion, të cilin e ka marrë Partizani, i cili nga ana e tij fitoi derbin e kryeqytetit duke mundur Dinamon me rezultatin 3-1. Shumë e dyluftuar ka qënë edhe përballja tjetër, ajo e luajtur në stadiumin e Laçit, ku kurbinasit vendas sfiduan ekipin kryesues të Tiranës duke e mundur me rezultatin 1-0.

Fitorja për Laçin e drejtuar nga Shpëtim Duro, konsilidon vendin e dytë, ndërkohë që Tirana, e cila edhe me një barazim të mundshëm në këtë transfertë do të siguronte titullin pesë javë përpara përfundiumit, e ka shtyrë festën për ndonjë javë tjetër.

Me përfundimin e dy ndeshjeve të ditës së sotme, Vllaznia-Skënderbeu dhe Kastrioti-Egnatia, merr formë të plotë edhe renditja e skuadrave në tabelën e klasifikimit. Sa i përket sfidës që do të luhet në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16:45, kuqeblutë janë të karikuar për të marrë fitoren e munguar prej disa javësh. Fitore kjo, që nëse arrihet, e mban në valle për luftën dhe rivalitetin që ka me Partizanin dhe Kukësin për vendin e tretë dhe të katërt, pozicion me të cilin arrihet pjesëmarrja në Europë. Ndërsa, nga ana tjetër, për korçarët që janë të fundit në renditje, shpresat për të mbijetuar në Superiore janë krejt të pakta. Megjithatë, duhet pritur për të parë se si do të prezantohen sot në transferten shkodrane.

Në të njëjtën orë me çiftin, Vllaznia-Skënderbeu, do të luhet edhe ndeshja tjetër, Kastrioti-Egnatia. Dy skuadra këto që me rezultatet pozitive të javëve të fundit i janë larguar ndjeshëm zonës së “ftohtë” të rënies nga kategoria, madje për krutanët, nëse arrijnë të dalin fitues sot, shtohen pretendimet edhe për zonën Europiane.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img