Tirana ka mposhtur Teutën në duelin e vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë Superiore. Pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, u shpreh për MCN TV:
“Situata e mirë nuk rikthehet me një fitore. Më vjen mirë që nuk pësuam gol, kjo na ka dëmtuar në fazën e parë. Terreni nuk lejon të luajmë dhe duhet të jemi më cinikë. Në ndërtimin e lojës ishim më të qetë dhe bëmë mirë.
Hasani është një lojtar ofensiv dhe goditës i mirë i portës. Aftësitë e tij mundohemi t’i shfrytëzojmë gjithmonë. Qarkullimi i topit ndikohet shumë nga terreni i fushës dhe situatës ku ndodhet skuadra.
Qarkullimi i topit do të vijë në përmirësim. Problemet në mbrojtje duan përqendrim. Pavarësisht se fituam, ne jemi të mërzitur për renditjen ku ndodhemi. Duhet të jemi më lart. Pres më shumë.”