Krahas ekipit të parë Ada, në Velipojë funksiunon edhe një Akademi Futbolli, e cila për hirë të së vertetes gjatë viteve të fundit është shndërruar në një strehë ku sterviten me dhjetra dhe qindra fëmijë të kategorive të moshave të ndryshme të zonës në fjalë. Në një prononcim të dhënë për portalin Veriu Sport, drejtuesi i kësaj Akademie, ish futbollisti dhe sot trajneri i përkushtuar me futbollin e moshave, Etrit Nika flet për masivitetin por edhe cilësinë e prodhimit të talenteve në ekipet e grupmoshave të tyre
Etrit, prej disa vitesh Akademia e Futbollit Adaështë pjesë e rëndësishme e futbollit në Rajonin e Shkodrës. Sa i kënaqur jeni ju si drejtues, por edhe si trajner i kësaj akademie me funksionimin dhe konkurimet e kampionatet e ndryshme?
Në përgjithësi ekipet tona po paraqiten mirë, por ajo që është më kryesorja ka të bëjë me masivizimin e fëmijëve në sport. Pamvarësisht rezultateve, sa më shumë që ato të aktivizohen aq më shumë jep ndikimin e vet në rritjen dhe formimin e tyre në aspektin sportiv.
Cilat janë disa nga objektivat tuaj?
Normalisht që synimi i Akademisë së Futbollit Ada është që ato futbolistë që plotësojnë moshën e duhur të kalojnë në ekipin e parë të Adës, siç janë edhe tre-katër futbollistë që deri vitin e kaluar janë aktivizuar me ekipet e Adademisë Ada, të cilët në ndeshjen e fundit të ekipit të parë të të rriturve Ada luajtën me sukses si titullar në formacion përballë Ilirisë së Fushë Krujës.
Konkretisht, këtë sezon si po paraqiten ekipet e moshave të Akademisë tuaj?
Në kampionatet rajonale të këtij sezoni, Akademia Ada merr pjesë me tre ekipe U-11, U-15 dhe U-15 dhe po vazhdojmë nga java në javë me rezultate të mira. Por, siç e thashë edhe më sipër, e rëndësishme është aktivizimi i fëmijëve, sepse rezultatet kalojnë në plan të dytë.
Me aq sa shikoni në ekipet tuaja, ka element të perspektivës në këto grupmosha?
Po, janë disa element shumë cilësorë, sidomos tek ekipi U-11 ku dy sezonet e fundit kemi dalë edhe kampion me to, ndërkohë që edhe në këtë sezon në tre javët e para kemi tre fitore radhazi. Po ashtu edhe tek U-15 kemi një grup shumë të mirë, por e rëndësishme është që këto fëmijë të rriten si fujtbollistë dhe të aktivizohen në ekipet e rritura, siç u aktivizuan edhe në ndeshjen e fundit ndaj Ilirisë edhe tek ekipi i parë, 3-4 futbollistë të kësaj akademie. Në të njëjtën kohë, ato mund ta vazhdojnë karrieren e tyre sportive, jo vetem tek Ada, por edhe në ekipe të tjera të qarkut Shkodër apo edhe më gjërë, sepse prioriteti ynë kryesor është që të përgatisim dhe formojmë futbollistë cilësorë që i shërbejnë së ardhmes së karrieres së tyre sportive
Marrëdhëniet me ekipin e parë duken qartë se janë të mirëfillta, kur ju vetë personalisht u patë duke drejtuar në pankinë ekipin e parë të Adës në ndeshjen ndaj Ilirisë, pasi për nevoja të skuadrës, trajneri aktual Adi Mehja ishte në lojë si futbollist.
Ky është një bashkëpunim shumë i mirë që kemi arritur që me mbërritjen në këtë detyrë të professor Adi Mehjes. Vlera në këtë aspekt qëndron në vemendjen që ai dhe ekipi i parë ka ndaj Akademisë tonë duke marrë lojtar dhe aktivizuar me sukses në formacionin e parë. Shpresojmë që edhe në të ardhmen të vijojë ky bashkëpunim i mirëfilltë, sepse është në të mirë të vetë futbollit velipojak në përgjithësi.
Në lidhje me ekipin e parë të Adës, si e shikon të ardhmen e kësaj skuadre?
Falë këtij bashkëpunimi të mirë që kemi, synimi i jonë me ekipin e parë të Adës është që të paktën të jemi në pesëshen e parë të renditjes të grupit A në kategorinë e dytë. Konkretisht, synojmë përfshirjen në Play-Off, dhe pse jo kalimin edhe në kategorinë e parë përmes konkurimit final në këtë fazë finale.
Gaspër MARKU