“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë surprizë në javën e ardhshme, si Tirana ashtu dhe Partizani kanë përballë kundërshtarë të kalueshëm. Mendoj se në javën e fundit do të vendoset gjithçka, përballë dy skuadrave që pretendojnë titullin do të jenë kundërshtarë që kërkojnë pikë, Tirana luan me Erzenin ndërsa Partizani me Teutën”. Kështu mendon Shkëlqim Muça, i ftuari i përhershëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH i cili jep mendimin e tij për fatin e këtij edicioni të Superiores kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund.
Tirana, e karikuar – “Janë ndeshje që dy ekipet e para e ndjejnë presionin dhe janë të karikuara. Tirana ishte shumë e karikuar, shënoi dhe prapë ishte në kërkim, nuk bëri gabimin që bëri në Durrës. Nuk e vuri ansjëherë në dyshim rezultatin. Edhe në ndeshjet e ardhshme nuk mendoj se Tirana mund të bëjë lëshime, është shumë e karikuar. Laçi këtë paraqite kishte gjatë gjithë sezonit, me shumë oshilacione, së fundmi kishte një paraqitje më të mirë, por përsëri nuk më bind”.
Nryshimet e Partizanit – “Partizani është paraqitur me formacione të ndryshme, në 34 javë, 30 formacione të ndryshme. Këto lëvizjet e shpeshta kanë bërë që të mos jetë shumë solid. Ka bërë paraqitje të mira, por mund të kishte bërë akoma më mire. Është një skuadër që duhet të luftojë në dy fronte, por u eliminua nga Kupa dhe i erdhi mundësia në kampionat dhe e humbi”.
Egnatia bëri detyrën – “Duke fituar ndeshjen, respekton dhe veten, respekton punën e një sezoni. Tashmë Egnatia është e qetë në ndeshjet e fundit. Nuk mund të lëshë kualifikimin për në ndeshjen e fundit, mendoj se bënë gjënë e duhur duke e fituar. Egnatia ndryshoi shumë pas janarit, me përforcimet e bëra në sulm. Duamena është një sulmues tipik, inteligjent, duhet të luajë gjithmonë pranë portës”.
Për një vend në Europë – “Teuta është afër, sigurisht që mund të tentojë një vend në Europë. Ka një ndeshje me Egnatian këtë javë, skuadër që i ka arritur objektivat, luan me tjetër impenjim. Skuadra durrsake mendoj se do e diskutojë deri në fund me Vllazninë”.
Barazimi i Bylisit me Kukësin – “Bylis ishte gjithmonë më kërkues, shkonte më afër portës. Ishte dramatike, mendoj se ballshiotët u gëzuan para kohe. Ajo eufori e Bylisit bëri që Kukësi të barazonte ndeshjen, e kishte në dorë, por nuk e di se çfarë u ndodhi”.