Vllaznia nuk ia doli sërish dhe kjo nuk është një “surprizë” në Shkodër, pasi titulli në kryeqendrën e veriut mungon prej 24 vitesh.
Mbështetësit e shkodranëve ishin të bindur se ky do të ishte sezoni i tyre, por rezultoi vetëm zhgënjimi i radhës. Me një optimizëm dhe dashuri për skuadrën e tyre të zemrës, tifozët mbushën shkallët e “Arenës Kombëtare” ditën e hënë në finalen kundër Egnatias. Por sërish u zhgënjyen nga ekipi i tyre, që në asnjë moment nuk e shfaqi “stofin” dhe grintën për kampion, duke u dorëzuar pa kushte në shifrat 4-0 ndaj Egnatias, që nga ana e tyre merituan gjithçka.
PA TROFE – Por, a mund të cilësohet ky një sezon i dështuar nga ana sportive për Vllazninë? Faktet janë disi kokëforta, pasi shkodranët nuk mund të kënaqen vetëm me faktin e kualifikimit në Kupat e Europës. Drejtuesit, pavarësisht se asnjëherë nuk “rrahën gjoksin” duke thënë se e donin titullin kampion, kushtet i kanë plotësuar në maksimum për ekipin.
SHPENZIMET – Vllaznia ka qenë ndër ekipet më të mirëpaguara këtë edicion. Titullarë të ndryshëm janë paguar nga 7-10 mijë euro në muaj. Po ashtu vonesat në paga nuk kanë ekzistuar në kampin shkodran, me futbollistët, që kanë qenë të kënaqur nga trajtimi ekonomik, që iu është bërë nga drejtuesit apo edhe donatorët e ndryshëm, që kanë dhënë një dorë të mirë për skuadrën.
MERKATO – Megjithatë sezoni dështoi, me kuqeblutë, që për të tretin sezon radhazi nuk ia dalin të fitojnë një trofe në vend mes kampionatit dhe Kupës. Por ky dështim ishte “i paralajmëruar” që nga vera. Në merkato u afruan një duzinë me futbollistë, nga të cilët vetëm Gurishta dhe Deliu ishin emra me peshë në futbollin shqiptar. Por ish-mesfushori i Tiranës qëndroi më shumë në infermieri gjatë sezonit sesa dha kontributin e tij në fushë për skuadrën. Pjesa tjetër e futbollistëve të afruar ishin në mesataren apo nën mesataren e një skuadre si Vllaznia. Dhe si pasojë “firuan” gjatë rrugës, madje edhe me ndëshkime të pakuptimta, siç ishte Marko Juriç, i cili për kapriço personale të një prej drejtuesve të skuadrës shkodrane, qëndroi në tribuna në gjysmën e dytë të sezonit. Përveç dëmit sportiv, me Vllazninë që ishte skuadra që pësoi më shumë gola, kishte edhe një dëm ekonomik për klubin. Jashtë skuadre qëndroi për gjysmë sezoni një futbollist që paguhet me afro 5 mijë euro në muaj.
JANARI – “Mëkatet” vijuan edhe në janar, ku shkodranët nuk afruan futbollistë me peshë për të përballuar presionin e një skuadre që do të fitojë kampionatin. Në një moment ku Egnatia, rivalja kryesore e edicionit, përforcoi radhët e saj me futbollistë shumë cilësorë dhe që e dinin se çfarë do të thotë të dalësh kampion, te Vllaznia nuk kishte lëvizje. Për të kaluar nga zyrat në fushën e lojës, performanca e Vllaznisë ka qenë plot luhatje gjatë këtij edicioni, fakt lehtësisht i faktuar dhe shpesh i theksuar nga shumë ekspertë të futbollit shkodran dhe jo vetëm. Një skuadër pa shumë ide në fushën e lojës dhe e bazuar kryesisht në cilësitë individuale të futbollistëve. Me Balajn “merrnin” frymë të gjithë te Vllaznia dhe në momentet kur sulmuesi nuk ishte në ditën e tij, skuadra vuante pa fund për të marrë rezultate pozitive.
FAJI – Pra, një edicion ku të gjithë prisnin nga Vllaznia trofe, por ndoshta edhe nuk prisnin asgjë duke parë performancat e shkodranëve. Tifozët patjetër “verbohen” kur bëhet fjalë për ekipin e zemrës, por kur gjykon në gjakftohtësi dhe peshon faktet, tregohet qartazi se shkodranët nuk ishin gati për titullin. Megjithatë, faji i këtij “dështimi” do të sillet mes presidencës, drejtuesve, stafit dhe futbollistëve, ku të vetmit që meritojnë emrin kampion janë tifozët e Vllaznisë.
Endri ÇINARI