Tuesday, November 26, 2024

Analizë & monitorim i talenteve kuqezi / Departamenti i Ekipeve Kombëtare mbledh trajnerët e moshave

Lexo

Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF ka mbledhur sot trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave për të analizuar paraqitjet e muajit të kaluar dhe për të bashkërenduar punën me elementët e spikatur që militojnë në këto përfaqësuese.

Në mbledhje morën pjesë drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta, specialistët e këtij departamenti Sulejman Mema e Denis Lilo si edhe trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave Armando Cungu, Ardi Behari, Ervin Bulku, Agron Kërçova e Armand Damo.

Në fillim u analizua performanca e ekipeve Kombëtare U-16, U-17, U-18, U-19 dhe U-20 gjatë muajit shtator të impenjuara në turne zyrtarë, miqësore apo edhe seleksionime. U evidentuan problematikat e hasura dhe u vlerësuan aspektet pozitive të këtyre paraqitjeve në të gjitha nivelet. Tashmë secila nga ekipet zinxhir kanë një listë me kontingjentin e lojtarëve të gatshëm, ndërkohë që të gjithë trajnerët bashkërendojnë punën e tyre duke iu referuar pikërisht këtyre listave për të ndjekur në vazhdimësi elementët më të spikatur.

Trajnerët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin duke shkëmbyer informacione për ecurinë e lojtarëve të evidentuar dhe për promovimin e tyre. Siç dihet misioni kryesor i përbashkët është përgatitja e lojtarëve të talentuar dhe kalimi i tyre nëpër të gjitha ekipet e moshave dhe për të arritur te Kombëtarja A.

Në këtë mbledhje u zhvillua analiza e javëve të fundit për të gjitha ndeshjet e ekipeve kombëtare që nga mosha U-15 e deri te ajo U-20 dhe performanca ekipore e menaxheriale të shfaqur nga këto skuadra. Kombëtarja U-19 mori pjesë ne eliminatoret e Europianit të kësaj moshe, ku përballë kishte dy ekipe shumë të forta si Spanja dhe Belgjika, ndërsa Kombëtarja U-20 zhvilloi dy miqësore me Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe Kombëtarja U-17 zhvilloi dy miqësore po ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë muajit shtator, kurse Kombëtaret U-15, U-16 e U-18 kanë zhvilluar seleksionime e miqësore duke vëzhguar nga afër lojtarët që janë pjesë e kësaj grup-moshe.

Ndër të tjera, u theksua edhe monitorimi i vazhdueshëm i lojtarëve që aktivizohen jashtë Shqipërisë, që ndiqen në bashkëpunim të ngushtë me skautët e FSHF-së në të gjithë Europën. Po ashtu trajnerët prezantuan edhe programin e tyre të punës për muajin në vazhdim, ndërkohë që të tilla mbledhje do të organizohen rregullisht për të diskutuar problematikat dhe çështjet ku nevojiten përmirësime apo bashkërendimi i aktiviteteve në vazhdimësi.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img