Sunday, November 24, 2024

Ankesat e konkurentëve të Ankandit, bllokohet proçesi i privatizimit Vllaznisë. Komisioni i Prokurimit Publik, kërkon dokumentacion shtesë nga Bashkia

Lexo

Duket se procesi i privatizimit të Vllaznisë, i cili pritej t’i jepte fund zvarritjes shumëvjeçare të klubit të futbollit nën drejtimin e pushtetit vendor, çka ka çuar edhe në zhgënjime të njëpasnjëshme në aspektin sportiv, nuk do të mbyllet aq shpejt sa pritet. Ndërkohë që gjithçka pati arritur në fazën e ankandit, duket se procesi do të bëjë hapa prapa, pasi është Komisioni i Prokurimit Publik i cili i ka dhënë të drejtë kërkesës së kompanisë që përfaqëson ish-presidentin Valter Fushaj, duke kërkuar pezullimin e procedurës së ankandit dhe mos kryerjen e asnjë veprimi nga autoriteti kontraktor deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar.

Në bazë të kësaj shkrese, Bashkia Shkodër e cila është dhe pala shitëse e këtij subjekti, duhet të dërgojë menjëherë pranë Komisionit të Prokurimit Publik informacion të hollësishëm mbi procedurën e ankandit dhe fazën në të cilën ndodhet kjo procedurë, dokumentet e ankandit të shoqëruara me procesverbalin e hartimit dhe argumentimit të kërkesave për kualifikim dhe specifikimeve teknike. Po ashtu kërkohet të jepen argumentimet përkatëse mbi pretendimet e kandidatit blerës, kompanisë së ish-presidentit, si dhe informacion i hollësishëm vërtetuar me dokumentacion për dorëzimin e ankesës pranë autoritetit shitës dhe trajtimin e saj.

I gjithë informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar, duhet të paraqitet jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së këtij vendimi dhe të jetë shoqëruar me një Proces-Verbal në të cilin të pasqyrohen emërtimet e dokumenteve me numrin e fletëve përkatëse. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë më tej ky proces, që shkon përkundër kërkesës së sportdashësve dhe opinionit publik në Shkodër, të cilët kanë kërkuar privatizimin sa më të shpejtë të klubit më të vjetër futbollistik në vend, me qëllim rikthimin e tij tek lavdia e dikurshme.

Kjo kërkesë publike është bërë më e zëshme vitin e fundit, duke patur parasysh precedentin pozitiv të këtij sezoni, kur ndonëse në autoritetin e Bashkisë, administrimi i ndihmuar nga sponsorët ka dhënë rezultate në fushën e blertë, teksa Vllaznia ka kryesuar për mëse 23 javë dhe mbetet pretendente për titull, nga një skuadër që luftonte për mbijetesë sezonin e shkuar.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img