Është një ndër lojtarët që në fillimet e tij me Vllazninë konsiderohej si një nga më të spikaturit e atij brezi të ri ku me të drejtë që në moshën 19 vjeçare pati kërkesa për të luajtur jashtë vendit, përvojë të cilën edhe e provoi me sukses. Më pas rikthimi në kampionatin shqiptar duke qënë pjesë kryesore e Vllaznisë, por përsëri me përvoja pozitive me skuadra të tjera cilësore të Superiores, si Kukësi dhe Teuta. Riveshja e tij kuqeblu këtë sezon futbollistik nuk ka pasur hapësirat e duhura në minutazhin e lojës, por sa herë i është kërkuar ka bërë më të mirën e tij për skuadrën. Ndërkoh nesër, për të parën herë në këtë kampionat, Kalaja pritet të jetë në fushë titullar nga minuta e parë duke zëvendësuar kështu kokë më kokë një Arlind tjetër, Hoxhajn që mungon për arsye të kartonit të kuq marrë javën e kaluar ndaj Teutës në “Loro Boriçi”. Emocionet e pragndeshjes, Kukësi-Vllaznia, Kalaja i prezantoi gjatë konferencës për shtyp dhënë paraditen e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
“Pak para fillimit të sezonit kam patur një dëmtim që më ka marrë jo pak kohë. Por di të them se gjatë gjithë kësaj periudhe kam patur mbështetjen e gjithë stafit dhe në momentin që jam kthyer, janë mundur të më japin minutat që kisha nevojë dhe tani jam gati për të luajtur. Ecuria e deritanishme është meritë e grupit, e stafit teknik, e bordit drejtues. Në ekip ekziston një atmosferë shumë e mirë, jemi një grup shumë i lidhur dhe kjo transmetohet shumë qartë edhe në fushën e lojës sepse është e dukshme. Uroj që këto rezultate të vazhdojnë kështu dhe të arrijmë objektivat e ekipit.”, theksoi në fillim të prononcimit të tij Kalaja.
Më pas, duke folur si ish i Kukësit, ai bën të ditur se skuadra me të cilën ai ka luajtur, ai mendon se Kukësi i sotëm është i tjetërsuar në emra.
“Është e vërtetë që kam qenë pjesë e Kukësit më parë, por nga ajo periudhë thuajse nuk ka mbetur asnjë lojtar, është vetëm Vesel Limaj, i cili edhe ai nuk e di nëse do të jetë gati për nesër. Unë e pres me shumë dëshirë ndeshjen dhe uroj që të dalim fitimtarë prej fushës. Mendoj se ndeshja e fazës së parë kur na mundi Kukësi në Shkodër, ka qenë një ndeshje episodesh dhe rezultati nuk ka treguar fytyrën e vërtetë të ndeshjes. Absolutisht që e kemi përgatitur mirë ndeshjen e nesërme. Ajo e kaluara na ka bërë mirë sepse e kemi njohur më mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona dhe nuk duam të mendojmë më për të shkuarën, por për të ardhmen”, theksoi Kalaja.
Në mbyllje, ai ka komentin e tij edhe trajnerin Brdariç, për të cilin thotë: ”Unë mendoj se një ndër cilësitë që është ndryshe, është komunikimi, mënyra se si komunikojmë dhe mënyra si na bën të ndihemi, na lejon të shprehemi lirshëm në fushën e lojës. Ky mendoj se është çelsi i suksesit, komunikimi dhe mënyra se si ai punon me ne në anën psikologjike dhe taktike, fizike, etj. Po t’i referohem eksperiencës dhe karrierës si futbollist po ashtu dhe si trajner, normalisht që ka një karrierë dhe eksperiencë shumë të madhe. Nuk jam un ai që mund të bëj krahasimin mes trajnerëve por rezultatet e tregojnë më mirë se çdo gjë tjetër”.