Ndonëse është në qendër të merkatos dhe pritet që të largohet nga Chelsea gjatë kësaj vere, sulmuesi shqiptar Armando Broja është grumbulluar nga trajneri Enzo Maresca në turin që “blutë” e Londrës po zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmuesi kuqezi është aktivizuar 28 minuta në miqësoren që Chelsea fitoi 3-0 përballë meksikanëve të Club America në Atlanta. Broja është futur në fushë në minutën e 63-të, por nuk ka arritur që të gjejë rrugën e rrjetës.
Evertoni është ekipi që është më pranë sulmuesit shqiptar, pasi është i gatshëm të paguajë 22 milionë stërlina për të blerë kartonin e 22-vjeçarit shqiptar. Por për Brojën nuk mungojnë oferta edhe nga disa klube të njohura të kontinentit.