Në Wanda Metropolitano përfundon në barazim 1-1. Colchoneros u ndalën dy herë nga shtylla
Liga e Kampioneve është rikthyer të mërkurën në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë, përveç emisionit të posaçëm, edhe ndeshjen më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Atletikos së Madridit dhe Mançester Junajtid. Sfida e luajtur në kryeqytetin spanjoll dhe që ishte e para e çiftit të vlefshëm për turin e 16-shes, ka parë vendasit që të gjejnë golin e epërsisë pas vetëm 6 minutash lojë, me autor Zhoao Feliks.
Shumica e mbetur e pjesës së parë ka patur një skenar të njohur, me skuadrën e trajnerit Diego Simeone që luan me epërsinë minimale, por edhe me nervat e anglezëve, që nga ana e tyre nuk arrijnë të thyejnë mbrojtjen e ngjeshur të spanjollëve, edhe për mungesë të ideve për ta bërë një gjë të tillë. Për rrjedhojë, goli i shënuar nga Feliks është dallimi që do t’i çojë skuadrat në dhomat e zhveshjeve, edhe pse Atletiko mund të kishte gjetur edhe golin e dytë në fund të 45 minutave të para, sikur të mos ishte ndalur nga shtylla.
Edhe 45 minutat e dyta kanë patur të njëjtën tablo, por Mançester Junajtid ka nisu të këmbëngulë në çerekorën e fundit. Dhe 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, është i sapofuturi në fushë, Elanga, ai që përfiton nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare dhe ruan gjakftohtësinë, duke shënuar golin e barazimit.
10 minutat e fundit dhe ato shtesë nuk kanë sjellë gola të tjerë, edhe pse vendasit goditën shtyllën horizontale të portës angleze dhe Atletiko e Madridit dhe Mançester Junajtid e mbyllin në barazim 1-1 duelin e parë midis tyre.