Vllaznia-Erzeni 2-2
Shënues: Aralica 54′, Mala 65′ / Nonato 75′, Kahrimanoviç (P) 90+10′
E shtunë, 29 tetor 2022, ora 16:45, stadium “Loro Boriçi”-Shkodër
VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Alivoda, Jonuzi, Boshnjaku(Aralica 46’), Mala(Kruja 95’), A. Hoxhaj(Heriç 86’), Marku(90’).
Trajner: Mirel Josa
ERZENI: Xhika, Krasniqi, Sadiki(Leite 66’), Enk(Maloku 81’), Osmanllari(Iliazi 30’) , Kriviçiç(Avdiu 66’), Mehmeti(Thiermo 81’) , Asani, Kahrimanoviç, Nonato, Kadriu.
Trajner: Xhevahir Kapllani
Gjyqtarë: Emanuela Rusta, Dojando Myftari, Mario Shazivari. I katërt: Enea Jorgji
VAR Olsion Yzeiraj-AVAR Elvis Gjoka
Vëzhgues: Servet Bogdani
Që tashmë, Erzeni nuk është më surprizë, kjo nuk ka nevojë për as më të voglin koment. Në fakt, kur mundte Vllazninë, në javën e parë të kampionatit, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, shumë kush e konsideronte rastësi. Madje, kishte prej atye që thonin se këto mund të jenë tre pikët e vetme që shijakasit kanë për të kujtuar në këtë kampionat duke aluduar se skuadrat e tjera të kategorisë Superiore do ta mundnin me radhë duke e destinuar shumë shpejt për rënien në kategorinë e parë.
Por, shijakasit e drejtuar në stol nga Xhevahir Kapllani dhe në stafin administrativ nga shefi, Ervis Xhafa, treguan se nuk janë rastësisht në Superiore. Edhe pse me një mal me probleme organizative, kur grumbullimi i skuadrës u bë vetëm një javë përpara nisjes së kampionatit, Erzeni dijti të ecte i sigurt nga java në javë. Madje, përpos tre pikëshit të parë të Vllaznisë, të njëjtën gjë ia bëri edhe Partizanit dhe Tiranës, dhe sot vjen në Shkodër duke i marrë një barazim Vllaznisë brenda në “Loro Boriçi”.
Me 4 pikë në dy ndeshje, duket se Erzeni ia ka marrë dorën Vllaznisë, ku përpos fitores në javën e parë të kampionatit 1-0, merr një barazim 2-2 në transfertë, që ndonëse në përmasat e dramatikes, për Kapllanin është i merituar. Barazim që lë prapa kuqeblutë në renditje. Që, edhe pse tekniku Xhevahir Kapllani deklaron se synojnë mbijetesen, shijakasit tashmë janë të dytët në renditje duke qënë kandidat për në Europë.
Nga ana tjetër, Vllaznia e drejtuar nga Mirel Josa, e cila ndonëse paksa me oshilacione, me pikët e marra ka vijuar të qëndrojë në grupin e skuadrave më të mira të kampionatit. Sot, kishte rastin më të mirë, që me një tre pikësh të mudshëm dhe në fakt me dy golat e shënuar nga Aralica dhe Mala, 54’ dhe 65’, ishte krejt afër këtij objektivi të mbante një pozicion edhe më optimal në renditje.
Por, ashtu si edhe në disa ndeshje të tjera, gabimi absurd i saj është që pas udhëheqjes në rezultat, skuadra tërhiqet për të mbajtur rezultatin. Kështu, ndodhi edhe këtë radhë, ku përpos defekteve të saj në prapavijë, edhe për meritë të kundërshtarit, dorëzon në mënyrë të pamëshirme avantazhin duke u ndëshkuar me dy gola në 15-të minutat e fundit të ndeshjes, fillimisht me Nonato 75’ dhe në sekondat e fundit të shtesës në limitin e takimit nga Kahrimanoviç 110’.
Një barazim, që me pak kujdes duhej ta shmagnin, dhe për mënyrën se si erdhi, kërkon një analizë të hollësishme, në mënyrë që defektet të korigjohen për ndeshjet e ardhshme, ku sfida më e afërt është ajo e së enjtes së ardhshme në transfertë me Kukësin.
Gaspër MARKU