Mbyllet në barazim 1-1 sfida mes Egnatias dhe Vllaznisë, që çeli javën e 13-të të kampionatit Abissnet Superiore në RTSH. Ndeshja në Rrogozhinë nisi me ritëm të lartë dhe me intensitet. Vendasit festuan pas vetëm një minute lojë. Regi Lushkja ndëshkoi shkodranët, me një gol fantastik.
Me kalimin e minutave, mysafirët tentuan të futeshin në lojë me anë të Balaj, por pa rezultat. Të besuarit e Tetovës iu afruan golit të dytë, por portieri Qarri tha “jo” në të 26-tën.
Në minutën e 56-të, Vllaznia barazoi shifrat me Dodaj, i cili ia doli që të dërgojë topin në rrjetë, duke shfrytëzuar në maksimum një rast të një topi të mbetur në zonë.
Me këtë rezultat, Vllaznia shkon në kuotën e 22 pikëve, përkohësisht në krye të klasifikim. Kampionët në fuqi e shohin veten në vendin e 3-të me 20 pikë. Kjo javë ka në program edhe ndeshje të tjera mjaft interesante, të kampionatit shqiptar.