Egnatia-Partizani 1-1 (Shënues: Zejnullai 90+1′ / Mba 22′)
Në barazim, 1 me 1 është mbyllur sfida e javës së 28-të të kategorisë Abissnet Superiore në mes Egnatias vendase dhe Partizanit mysafir. Ndoënëse, me një stadium të boshatisur pa psur mbështetjen e tifozëve të tyre, madje duke qënë edhe në disavantazh në pjesën e parë, falë golit të shënuar nga të kuqtë në të 22-tën me autor Kristian Mba, Egnatia arriti barazonte në kohën shtesë me golin e Zejnullait për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje e rëndësishme, kur përballë kishte ekipin kryesues dhe rival për titull.
Përgjithësisht ndeshja në fjalë pati një ritëm të kënaqshëm ku për hirë të së vertetës, vendasit ishin më tepër këmbëngulës për të kërkuar fitoren. Por, pësimi i golit ia prishi disi planet trajnerit Edlir Tetova.
Megjithatë, duhet thënë se goli i të kuqve e ndezi edhe më shumë takimin, me të dyja skuadrat që hapen në kërkim të golit që mund të ndryshonte gjithçka sa i përket rrjedhës së lojës. E ndërsa të kuqtë kryeqytetas i janë afruar golit të dytë, por pa e gjetur dot atë, janë rrogozhinasit në krahun tjetër që përshëndesin rrjetën në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Por, pas ndërhyrjes së Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), goli i Kasës do të anulohet për pozicion jashtëloje dhe Partizani shkon në pushimin e ndeshjes duke kryesuar 1-0.
45 minutat e dyta të takimit do të vijojnë të karakterizohen nga loja e hapur, por është Egnatia që e rrit gjithnjë e më tepër trysninë ndaj Partizanit, dhe rasti më i mirë për barazim ishte ai i minutës së 87-të me Renato Malotën, ku goditja e tij me kokë ndalet nga shtëlla e portjerit Rexhepi.
Presioni vendas do të vazhdonte edhe më tej duke u shpërblyer me golin e minutës së 91-të me autor Zejnullai që pas një këmbëngulje në portën mike, zgjidhë gjithçka mirë duke goditur saktësisht në rrjetën e Partizanit. Barazim 1 me 1, që përpos objektivit tre pikësh, edhe një pikë e gëzon Egnatian duke e mbajtur në vendin e tretë me 42 pikë, pozicion që e avantazhon për një vend Europe, por pse jo, i jep të drejtë të pretendojë edhe për titull. Ndërkohë, që me golin e pësuar në minutat shtesë, Partizani, humb dy pikë, që nëse do t’i fitonte në Rrogozhinë, mund të ishin përcaktuese në objektivin e titullit kampion.