Vllaznia në basketboll për femra ka realizuar një fitore të thellë në shifra ndaj një skuadre modeste si Elbasani. Por, nga ana tjetër, kjo fitore është shumë e rëndësishme për skuadrën kuqeblu sa i përket pikëve dhe ecurisë së kampionatit për fazën e tretë.
Basketbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Bledar Gjeçaj luajtën mesditën e së shtunës në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” përballë Elbasanit, në një ndeshje që dominuan gjatë të gjithë.
Suksesi i vajzave kuqeblu u vendos që në periodën e parë kur u arrit avantazhi 33-16. Ndërkohë, duke fituar edhe periodën e dytë 26-12, epërsia në mbyllje të pjesës së parë shkon në shifrat 59-28 për Vllazninë.
Në vijim, duke qënë me 32 pikë diferencë në kryesim të rezultatit, pjesa e dytë është një formalitet për skuadrën kuqeblu, e cila pas dy periodave, 11-14 dhe 10-5, e fiton të gjithë ndeshjen me shifrat e përgjithshme 83-47.
Pas kësaj ndeshjeje, Vllaznia shkon në fazën e tretë finale të kampionatit me një bilanc pozitiv lidhur me synimet që ajo ka për fazën finale të Kampionatit. Megjithatë, pa shkuar tek faza e tretë, skuadra kuqeblu ka për të konsumuar edhe një ndeshje të rëndësishme me Tiranën, e cila ka më tepër efekt përcaktues për kalendarin e fazës së Play-Off-it.