Ekipi i basketbollit Vllaznia për meshkuj U20 pati një start mjaft të mbarë në këtë sezon sportiv, ku nën drejtimin e trajnerit Kristian Koqeku realizoi disa fitore të rëndësishme duke qënë pretendenti kryesor në realizimin e objektivit për fitimin e titullit kampion. Por, pikërisht, në momentin më të mirë të skuadrës, trajneri Kristian Koqeku ka deklaruar dorëheqjen e tij nga drejtimi i skuadrës. Vendimin e tij të dorëheqjes, Koqeku e ka publikuar në profilin e tij të rrjetit social FB duke argumentuar edhe arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi, ku ndër të tjera, ajo më kryesorja ka të bëjë me mos mbështetjen nga ana e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia në krijimin e kushteve minimale të zhvillimit të stërvitjes me ekipin e tij U20. Për momentin dorëheqja e trajnerit Koqeku nuk është shoqëruar me ndonjë zyrtarizim apo reagim të këtij vendimi, gjë që pritet të ndodhë në vazhdim.
“Me këtë shkrim dëshiroj të shpreh dorëheqjen time nga posti i trajnerit të ekipit U20 të basketbollit. Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi objektivi im kryesor ishte të drejtoja ekipin drejt fitimit të titullit kampion.
Fatkeqësisht, mungesa e plotësimit të kushteve minimale nga shoqata dhe Bashkia Shkodër ka bërë të pamundur realizimin e këtij objektivi. Ndërkohë që kam bërë maksimumin për të përmbushur detyrimet e mia si trajner, kushtet e papërshtatshme kanë kufizuar seriozisht mundësinë për të zhvilluar ekipin dhe për të arritur rezultatet që dëshironim të gjithë.
Dua të falënderoj lojtarët për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur, si dhe të gjithë ata që kanë mbështetur ekipin gjatë rrugëtimit tonë. Jam krenar për çdo përpjekje dhe arritje, pavarësisht sfidave që kemi hasur.
Shpresoj që në të ardhmen të ndërmerren hapa konkretë për të përmirësuar kushtet dhe për të mbështetur më mirë sportin dhe talentet e rinj.
Ju uroj suksese në vazhdimësi dhe mbetem i hapur për të ndihmuar basketbollin në çdo mënyrë tjetër të mundshme.”, shkruan trajneri Kristian Koqeku në statusin tij të rrjeteve sociale.