Humbja e një jave më parë në shtëpi me Teutën e Durrësit nuk u përjetua mirë në opinionin sportiv shkodran, ku përpos rezultatit humbës në kohën shtesë 91-96, pati kritika jo të pakta në adresë të skuadrës në tërësi.
Por, duket se ditët në dispozicion të përgatitjes anti-Tirana u shfrytëzuan në mënyrën më të mirë nga ana e teknikut Eni Llazani, i cili duke pasur në dispozicion edhe ardhjen e re nga Prizreni, shkodranin Veton Gjeçaj, arriti ta karikojë skuadrën në maksimum. Dhe, suksesi erdhi, ku edhe pse në pjesën e parë ishin në disavantazh arritën të mbyllin të gjithë ndeshjen me fitore.
Referuar ndeshjes në fjalë, sfida e luajtur plot tension mes dy skuadrave në pallatin e sportit “Fahrije Hoti nisi më mirë për bardheblutë vendas teksa fitojnë periodën e parë me shifrat 22-17.
Vllaznia reagon në periodën e dytë, të cilën e fiton me rezultatin 24-21, por dy ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me një avantazh prej 2 pikësh në favor të bardhebluve.
Edhe në periodën e tretë është skuadra shkodrane që triumfon, 25-21 duke kaluar ne avantazh me dy pike. Ndërkohë, ajo dhjetë minutat e periodës së katërt shoqërohen me shumë rivalitet, emocion, por edhe shumë tension në fushën e lojës. Në fund, buzëqeshin kuqeblutë, të cilët tregohen më të qetë dhe më të saktë në veprimet e tyre, me dhe pa top duke bërë që e gjithë ndeshja mbyllet me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 85-88 duke gëzuar pa fund tifozërinë shkodrane, e cila kishte udhëtuar nga Shkodra për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.