Sigal Prishtina-Vllaznia 85-84(25-29, 15-14, 23-22, 22-19)
Pas fitores së rëndësishme në transfertë me Kamza Basket, takim ky i vlefshëm për Superligën e basketbollit meshkuj, Vllaznia udhëtoi në Kosovë për llogari të Ligës Unike. Në kalendarin e kësaj jave ishte përballje, Sigal Prishtina-Vllaznia, ndeshje kjo e cila me mirëkuptimin e dy skuadrave është luajtur mbrëmjen e së mërkurës në Prizren.
Edhe pse kishte përballë një nga skuadrat më të mira të basketbollit kosovar dhe më tej, Vllaznia bëri një paraqitje dinjitoze duke qënë, jo vetëm e barabartë në fushën e lojës, por me të gjitha shanset për ta dalë fituese e kësaj sfide.
Dhjetë minutat e periodës së parë kanë qënë surprizuese për publikun e pranishëm në pallatin e sportit të Prizrenit, me një Vllazni, e cila është shumë e saktë në veprimet e saj duke e mbyllur atë me fitore, 25-29.
Perioda e dytë vazhdon të prodhojë një lojë plot rivalitet dhe emocione, e cila mbyllet 15 me 14 në favor të Prishtinës, por duke mos e ndalur Vllazninë të fitojë pjesën e parë me shifrat 40-43.
Pas kthimit në fushën e lojës, perioda e tretë ka pamjen e së dytës duke pasur të njëjtin emocion dhe rivalitet, ku edhe pse prishtinasit e fitojnë me një pikë diferencen 23-22, lë përsëri në fuqi avantazhin e përgjithshëm të Vllaznisë, 63-65.
Madje, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani dhe kolegët e tij, Roni Gjeçaj dhe Antonio Shabani janë shumë pranë fitores, pasi kur kishin mbetur edhe tre sekonda lojë, kryesonin me rezultatin 83-84. Fati është me Prishtinën, kur Cory Reeves shënon dy pikët e përmbysjes së rezultatit 85-83 në favor të skuadrës së tij duke u shndërruar në heroin e ndeshjes.
Një humbje kjo dramatike për Vllazninë, por nga ana tjetër një tregues kuptimplotë që pas asaj që paraqiti në transfertën me Kamzën, përballja me Prishtinën, skuadra dha mesazhin e duhur se ka forcën dhe kualitetin për të bërë mirë në kampionatin shqiptar. Gjë, që pritet ta demonstrojë edhe në sfidën e kësaj fundjave, kur do të presë Apoloninë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.