Vllaznia-Tirana 71-45(18-17, 19-14, 19-6, 15-8)
Vllaznia e basketbollit për meshkuj ka kurorëzuar me sukses përballjen me Tiranën në kuadër të ¼ të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Durrësit, djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Eni Llazani kanë sfiduar bardheblutë në të gjitha drejtimet, me lojë dhe rezultat.
Në ndryshim nga ndeshja e mëparshme me Kamzën, e cila u humb në shtëpi, këtë radhë në fushën e lojës është parë një Vllazni krejt tjetër. Falë edhe rikthimit të dy titullarëve Memçaj dhe Rakaj, të cilët kanë lënë pas gjendjen gripale, por edhe të përmirësimit të shumë treguesve nga skuadra në tërësi, Vllaznia ka dominuar në mënyrë të padiskutueshme të gjithë takimin.
Referuar ecurisë së lojës, vetëm perioda e parë ka paraqitur një rivalitet, ku në përfundim Vllaznia ka dalë fituese me shifrat 18-17, ndërkohë që në dhjetëminutëshin e dytë epërsia e kuqebluve është më e madhe duke nxjerrë fituese përsëri Vllazninë 19-14. Në këtë mënyrë, kuqeblutë shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 37-31.
Vllaznia vijon të luajë mjaft mirë edhe në periodën e tretë, të cilën e fiton 19-6 duke shkuar në plus 19-të. Por, nuk mjaftohet me kaq, sepse dhjetë minutëshi i periodës së katërt është përsëri i Vllaznisë, madje me shifrat e thella 15-8 duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet në favorin e kuqebluve me 26 pikë diferencë(71-45).
Me këtë fitore krejtësisht të merituar, Vllaznia kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku sipas kalendarit do të ndeshet me Elbasanin, takim ky i cili është programuar të luhet ditën e shtunë.