Monday, December 30, 2024

Basketboll Meshkuj/ KOKSH thirrje Tiranës e Teutës për vendimit të tërheqjes nga pjesëmarrja në Ligën Unike “Shqipëri – Kosovë”

Lexo

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë thirrje për rishikim të vendimit të Tiranës dhe Teutës, të cilat janë tërhequr nga pjesëmarrja e tyre në Ligën Unike “Shqipëri – Kosovë” në basketboll për meshkuj. Për shkak të vendimit të këtyre dy ekipeve, Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” e ka pezulluar kampionatin e meshkujve dhe garën e vazhdon për femra. Ndaj dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, teksa Lige Unike “Shqipëri – Kosovë” ka patur dhe bekimin e dy kryeministrave të vendit më 2020, kërkon që të lihen mënjanë interesat e ngushta dhe ato meskine.

“Dua t’u kujtoj – thotë Ylli në shkresën e tij – dy ekipeve se Liga Unike, përveç se një aktivitet sportiv basketbolli, është edhe një projekt kombëtar për zhvillimin e sportit. Liga ka një simbolike të fortë e bashkimi”. E duke vazhduar më tej, i pari i olimpizmit shqiptar ka treguar se ky veprim ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit mes dy vendeve, ndërsa nga kjo situatë dalin të gjithë të humbur. Ndaj Fidel Ylli i ka bërë thirrje ekipeve që të shohin vendimin e tyre, sepse Liga Unike duhet të eci përpara, ashtu sikurse në të gjitha sportet.

Ndërkohë klubi shumësportësh Tirana ka treguar se është i gatshëm të marrë pjesë me të gjitha ekipet në Ligën Unike, teksa ka deklaruar se volejboll femra e meshkuj dhe basketbolli femra do të vijojnë aktivitetet me Kosovën. Por basketbolli i meshkujve është tërhequr për arsye objektive e përqendrimi më shumë në kampionatin shqiptar. Megjithatë KOKSH këmbëngul që Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” në basketboll për meshkuj do të duhet të kthehet në aktivitet.

Teksti i plotë i letrës së presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli

Në dritën e ngjarjeve të fundit në fushën e sportit, kur dy Klube të basketbollit të Shqipërisë janë larguar nga Liga Unike e Basketbollit që zhvillohet me pjesëmarrjen e ekipeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar shpreh keqardhje të thellë për këtë vendim të njëanshëm të klubeve. Dua t’u kujtoj dy ekipeve se Liga Unike, përvec se një aktivitet sportiv basketbolli, është edhe një projekt kombëtar për zhvillimin e sportit, që përfshin aktorë të ndryshëm. Liga ka një simbolikë të fortë dhe të dashur për publikun si dhe është një marrëveshje ku dy shtetet kanë marrë përsipër detyrime, edhe nepërmjet përfshirjes së drejtpërdrejtë të kreut të shtetit z. Rama. 

Në një kohë kur qeveria Rama po mbështet fuqishëm zhvillimin e sportit të volejbollit dhe basketbollit, dy klube që financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, vendosin të largohen në mënyrë të njëanshme nga veprimtari zyrtare mbarëkombëtare. Në këtë pikë nuk duhet të harrojmë se sa punë dhe përpjekje janë dashur për realizimin e Ligës Unike, si dhe përpjekjet e mëdha të Presidentit të FSHB z. Avni Ponari për t’i dhënë jetë këtij projekti dhe për të marrë miratimin e FIBAs. Efektet negative të këtij vendimi shkojnë përtej vendimmarrësve individualë të dy klubeve. Ky veprim ndikon drejtpërdrejt sportin profesionist të dy shteteve, sportistët, publikun, Federatat përkatëse, si dhe marrëdhëniet me sponsorat, të cilët vecanërisht në Kosovë, janë të gatshëm të financojnë këtë aktivitet. 

Nga kjo situatë dalin të gjithë të humbur, për më tepër që basketbolli shqiptar ka shumë për të  mësuar nga ai i Kosovës. Pikërisht për të zhvilluar këtë sport në Shqipëri, KOKSH ka fituar një projekt nga qeveria shqiptare dhe ka krijuar 350 ekipe Basketbolli për vajza dhe djem, në shkolla 9-vjeçare, në gjimnaze dhe universitete. Projekti do t’i vijë në ndihmë klubeve sportive të cdo qyteti dhe FSHB për identifikimin e talenteve si dhe për të patur në të ardhmen një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombetare. Nëpërmjet projektit kërkojmë të rrisim rezultatet edhe në Lojëra Olimpike dhe Lojëra Mesdhetare, ashtu si dikur në Latakia të Sirisë, ku në Lojërat Mesdhetare ekipi i basketbollit të vajzave mori medalje të arta. 

 Në një kohë kur po punohet fort për të përsëritur këto rezultate, po mësojmë nga njëri-tjetri, dhe synojmë që në një të ardhme të shpejtë të kemi rezultate pozitive si në nivelin teknik edhe në atë organizativ, episode të tilla nuk duhet të detyrojnë sportin të bëjë hapa prapa. Ky vendim i njëanshëm i dy klubeve për arsye banale, nuk duhet të ndikojë në zhvillimin e këtij projekti madhor mbarëkombëtar. 

 Si President i KOKSH, i bëj apel të dy klubeve dhe bashkive përkatëse të rishikojnë me qetësi vendimet e tyre dhe problemet e brendshme ti zgjidhin në mënyrë insitucionale dhe jo me pasoja për të tjerët. 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img