Saturday, November 23, 2024

Basketboll Superliga Meshkuj- Java e parë Teuta-Vllaznia, trajneri amerikan i kuqebluve Mathew Jones premton fitore në transfertë

Lexo

Superliga e basketbollit për meshkuj starton këtë fundjavë, dhe menjëherë, që në javë e parë, kalendari ka vënë përballë njëra tjetrës dy skuadrat pretendente për titull, Vllazninë dhe Teutën. Një përballje kjo interesante që do të luhet të shtunën  në pallatin e sportit “Ramazan Njala” duke filluar nga ora 17.00. Kuqeblutë e nisin kampionatin duke pasur në stol trajnerin amerikan Mathew Jones,  cili ka pak ditë që është vënë në krye të skuadrës dhe po vijon me intensitet përgatitjet me grupin që ka në dispozicion.

Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri amerikan shprehet optimist se Vllaznia e këtij sezoni do të jetë protagonistja kryesore kampionatit. “Jam shumë i kënaqur me stërvitjen e deritanishme të skuadrës, ku vërehet një harmonizim i mirë mes basketbollistëve amerikanë dhe atyre lokal. E dija që më përpara se do të jem trajner i një skuadre që qyteti dhe tifozët e zjarrtë shkodranë kërkojnë fitimin e titullit të dhjetë kampion me Vllazninë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që ta realizojmë këtë objektiv.”, shprehet amerikani i pankinës kuqeblu, Mathew Jones.

Ndonëse koha në dispozicion nuk ka qënë e bollshme, trajneri shkodran thotë se kanë punuar intensivisht për të marrë formën e duhur sportive. “Në lidhje me përgatitjet tona, duhet thënë se sigurisht që koha ka qënë e shkurtër dhe ne jemi duke punuar në një mënyrë shumë intensive në aspektin sulmues dhe mbrojtës. Nisur nga kontigjenti i bollshëm amerikan që është bërë pjesë e skuadrës, natyrisht që baza e formacionit do të jetë me këto lojtarë, por çdo ditë po punojmë që të gërshëtojmë edhe me basketbollistët vendas.”, thekson tekniku amerikan

Shqipëria është i vetmi vend që lejon aktivizimin pa kriter të lojtarëve të huaj. Dhe, për këtë trajneri Mathew Jones, komenton: “Krahas Vllaznisë, konstatoj se edhe në ekipet e tjera të kampionatit shqiptar luajnë basketbollistë amerikan. Për këtë do të thoja që me të vërtetë jeni unik, sepse shumë liga kanë kufizime në lidhje me aktivizimin e të huajve, por nga ana tjetër këto lojtarët amerikanë që vijnë në Shqipëri janë shumë të kënaqur që i jepet mundësia të luajnë dhe të kontribujojnë për skuadrat e tyre përkatëse. Për mua personalisht do të thoja se jam ambientuar shumë shpejt me qytetin e Shkodrës. Stafi menaxhues i klubit Vllaznia ka qënë shumë mikpritës dhe më ka bërë të ndiehem si në shtëpinë time. Po ashtu edhe shumë njerëz që më kanë njohur nga daljet e mija në televizor, më kanë ndaluar në rrugë duke më uruar dhe respektuar, me të vërtetë shumë mikpritës.”, tha ai.

I pyetur për startin e kampionatit, ku Vllanzia do të luajë në transfertë me Teutën e Durrësit, Mathew Jones, shprehet: ”Sa i përket ndeshjes së parë që do të luajmë në transfertë me Teuten e Durrësit, them se e kam studiuar kundërshtarin në ndeshjet e kaluara duke bërë një plan në mënyrë që të realizojmë fitoren dhe shpresoj që ta bëjmë një gjë të tillë.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img