Nga Martin DEDAJ
Besëlidhja e filloi me këmbë të mbarë udhëtimin në kampionatin e ri futbollistik 2025-2026, teksa të shtunën, më 27 shtator 2025, arriti të fitojë 0-2 në transfertë ndaj skuadrës së Basanias. Takimi u zhvillua në fushën sportive të Bushatit, e cila linte shumë për të dëshiruar në kushte loje, por kjo nuk e pengoi skuadrën lezhjane të kontrollonte ndeshjen dhe të siguronte tre pikët e para të vlefshme.
Që në minutat e para, djemtë e trajnerit Elvis Plori e morën lojën në dorë, duke krijuar epërsi ndaj vendasve. Superioriteti i tyre u konkretizua në minutën e 37-të, kur Akansase zhbllokoi rezultatin, ndërsa vetëm pesë minuta më pas, në të 42-tën, Kruja dyfishoi shifrat. Pavarësisht përpjekjeve, Basania nuk arriti të rrezikonte seriozisht portën e Myrtës gjatë gjithë pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, vendasit tentuan të reagonin, por lezhjanët treguan pjekuri, duke luajtur me kujdes në dy plane: administrimin e rezultatit dhe kërkimin e një goli të tretë. Edhe pse nuk e thelluan fitoren, ata e ruajtën rezultatin deri në fund dhe siguruan një nisje perfekte të kampionatit.
Një element i veçantë i këtij suksesi ishte prania e një numri të konsiderueshëm tifozësh lezhjanë, të cilët udhëtuan për të mbështetur ekipin në Bushat. Mbështetja e tyre u ndje gjatë gjithë lojës, duke i dhënë moral shtesë lojtarëve për të përballuar më lehtë vështirësitë e fushës dhe presionin e kundërshtarit.
Ky sukses rrit besimin e Besëlidhjes në synimin për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë, në vitin e tretë që luan në Kategorinë e Dytë. Mundësitë janë reale, falë edhe mbështetjes së presidencës së re, me në krye z. Pjerin Fushaj, si dhe bashkëpunimit të Bashkisë Lezhë.
Formacioni i Besëlidhjes:
Myrta, Temja, Neziri, Beci, Karakaçi, Rraboshta, Kruja (’87 Alcani), Ramilli, Bega (’90 Allmuça), Hila (’80 Bruka), Akansase.
Trajner: Elvis Plori.
Mosha mesatare e formacionit titullar të eipit Besëlidhja ishte 29.3 vjeç, ajo e lojtarëve të stolit 25.2 vjeç, ndërsa e gjithë ekipit, sipas protokollit zyrtar, 27.5 vjeç.
Në këtë takim ekipi lezhjan luajti me uniformën e re.
Shënuesit: Akansase ’37, Kruja ’42.
Kartona të verdhë: Rraboshta ’23, Ramilli ’67.
Përgatiti: Martin Dedaj
Gazetar dhe komentator sportiv



