Sunday, November 24, 2024

Beteja e “Loro Boriçit”, përcaktuese për ecurinë e sezonit-Java e dytë e Superiores përplas kampionët me nënkampionët Vllaznia-Teuta, të shtunën ora 19.45

Lexo

Është herët, vetëm java e dytë e kampionatit, e megjithatë ka ndeshje që vlejnë shumë për vazhdimësinë e sezonit, ose e thënë ndryshe për të vendosur supermacinë. Është pikërisht ajo që luhet në “Loro Boriçi”, mes Vllaznisë e Teutës, nënkampionëve e kampionëve në fuqi të vendit. Të dyja skuadrat, që e kanë nisur sezonin e ri me fitore, nuk është se nuk kanë testuar forcën, por nga Superkupa gjërat kanë ndryshuar dhe kur Vllaznia të zbresë të shtunën në fushë, do të jetë krejt ndryshe nga ajo e fundit të gushtit. E Teuta është paralajmëruar.

Po të shtunën, në fushë zbret edhe Partizani, në transfertën e Korçës. Kalendari i Skënderbeut në start ishte i lidhur i gjithë me kryeqytetin e pasi humbi me Tiranën, skuadra e Memellit nuk dëshiron të njëjtin fat dhe me të kuqtë. Daja mbërrin përballë ish-skuadrës me detyrim fitoren pas disfatës së pësuar me Teutën. Nuk është e thjeshtë, nuk ka qenë kurrë e lehtë të imponohesh në Korçë, për më tepër që bardhekuqtë nuk duan të përjetojnë një sezon dilemash për qëndrimin në elitë.

Sipari, gjithsesi ngrihet të premten me një Dinamo-Laçi intrigues. Blutë kanë fituar në debutim, e tani në “Elbasan Arena” duan të përsëriten përballë kurbinasve. Nuk është ekzaktësisht një ndeshje në shtëpi, por trajneri Shkëmbi kërkon ta bëjë skuadrën të ndihet komode, në ndeshjen e tyre të parë nën prozhektorë. Laçi ka ambicje, por vjen nga humbja, ndërsa “nëndetësja” nuk del hapur, por do ti ndërtojë pritshmëritë ndeshje pas ndeshja.

Të dielën është Tirana. Skuadra e Orges Shehit kërkon fitoren e dytë radhazi, kësaj here përballë Egnatias. Ndaj rrogozhinasve, bardheblutë kanë favorin se luajnë në “Selman Stërmasi”, ndërsa në Elbasan do të luhet ndeshja e dytë në tri ditë, ajo mes Kukësit dhe Kastriotit. Të besuarit e trajnerit Longo vijnë nga një fitore në transfertë dhe kanë kalendarin më të shtruar në start, edhe pse krutanët e Ndreut mund të jenë një kundërshtar i rrezikshëm, për vetë faktin se vijnë nga një humbje në shtëpi kundër Dinamos, që djeg akoma…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img