Spanjë 2-1 Shqipëri
(Shënues : Ferran Torres 75’, Dani Olmo 90’/ Myrto Uzuni 85’)
SPANJË: Martin; Carvajal (Cesar Azpilicueta 72’), Garcia, P.Torres, Alonso (Jordi Alba 64’); Gavi (Dani Olmo 64’), Rodri, Pedri; F.Torres, Morata (c) (Yeremy Pino 72’), Sarabia (Carlos Soler 64’)
SHQIPËRI: Berisha (c); Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Hysaj, Gjasula (Ylber Ramadani 61’), Laçi (Kristjan Asllani 78’), Balliu (Odise Roshi 84’); Bare; Broja (Rey Manaj 84’), Cikalleshi (Myrto Uzuni 61’)
Ka përfunduar me rezultatin 2-1 miqësorja Spanjë – Shqipëri që u zhvillua në “RCDE Stadium” mbrëmjen e sotme. Një ndeshje pozitive për kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja, që e nisi ndeshjen me këtë formacion: Berisha (k); Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli; Hysaj, Gjasula, Laçi, Balliu; Bare; Broja, Cikalleshi.
Rasti i parë për kuqezinjtë do të ishte në minutën e 12-të, kur Ivan Balliu dërgon një top në qendër për Cikalleshin, i cili pengohet në zonë, por loja vazhdon. Më tej do të ishte radha e Brojës për të kërkuar golin, i cili lëviz me shpejtësi nga e djathta, por arrin të fitojë një këndore, teksa pak minuta më vonë do të bënte sërish të njëjtin veprim, duke nisur një top për Cikalleshin në zonë, që nuk arrin të devijojë në portën kundërshtare. Pjesa e parë do të mbyllej me barazimin e bardhë, teksa në fraksionin e dytë të sfidës, pa dyshim që loja u bë më emocionuese. Një tjetër rast i mirë për kuqezinjtë, pas një kombinimi Broja-Balliu. Ky i fundit dërgon topin drejt qendrës për Laçin, i cili nuk përfiton nga rasti, teksa topi kthehet te Bare që e gjuan mbi traversën kundërshtare.
Trajneri Reja vendos të bëjë një rifreskim të skuadrës në minutën e 61-të, me Klaus Gjasulën e Sokol Cikalleshin që dalin nga fusha për t’i lënë vendin Ylber Ramadanit e Myrto Uzunit. Iberikët na ndëshkojnë pak minuta më vonë, me Ferran Torres që kalon në avantazh Spanjën. Kuqezinjtë nuk dorëzohen por provojnë të shtojnë presionin, teksa në krahun e djathtë, Uzuni pason për Brojën, por topi përfundon te Qazim Laçi, i cili provon ta kthejë në qendër, por topi përfundon në këndore. Pretendohet për një prekje me dorë, por gjyqtari bën me shenjë që loja të vazhdojë. Reja bën edhe tre zëvendësime të tjera, me debutuesin Kristjan Asllani, i cili zëvendëson Qazim Laçin në minutën e 78-të, ndërsa gjashtë minuta më vonë, Armando Broja e Ivan Balliu i lënë vendin Rey Manaj e Odise Roshi. Në minutën e 85-të shpërtheu edhe festa në kampin kuqezi, me Myrto Uzunin i cili përfiton nga një përplasje e topit nga kundërshtari, duke barazuar shifrat në 1-1. Ky është edhe goli i tretë që Shqipëria shënon në historinë e saj të futbollit ndaj përfaqësueses spanjolle.
Gëzimi zgjat pak për kuqezinjtë, pasi Dani Olmo dyfishon shifrat për iberikët, duke vulosur rezultatin në 2-1.
Pavarësisht rezultatit, vlen për t’u theksuar fakti se Shqipëria zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj Spanjës, një kundërshtari relativisht të fortë. Të martën, ekipi Kombëtar do të zhvillojë edhe sfidën e dytë miqësore të këtij muaji ndaj Gjeorgjisë në stadiumin « Air Albania » në Tiranë, në ora 18 :00.