Është 20 vjeç, ka lindur në Bruksel dhe aktualisht po bën karrierë si boksier në Angli. Ky është Christian Mhilli, djali i ish sportit shkodran, Vasil Mhilli dhe nipi i ish kampionit të njohur të Vllaznisë në sportin e mundjes, Agustin Mhilli. Një familje shkodrane kjo, e cila në vitin 1991 la Shkodrën për t’u shpërngulur në Belgjik, aty ku jeton prej 30 vitesh. Edhe pse ka lindur në Bruksel, Christiani e flet mjaft mirë gjuhën shqipe, kjo falë edhe familjes së tij që ia kanë kultivuar një gjë të tillë. E quan veten shkodran, dhe për këtë thotë se është krenar, aq më tepër kur edhe kur komunikimin e ka në dialektin e qytetit verior. Intervista që Veriu Sport zhvilloi me Christian Mhillin ka të bëjë me karrieren e tij si boksier, fillimisht në Belgjikë ku garoi si kampion në Kick-Box, ndërkohë që së fundmi është spostuar nga Brukseli në Londër duke iu përkushtuar boksit anglez profesionist.
Christian, si ju lindi dëshira për t’u marrë me boks, kush u bë nxitje? Vëllezërit, Agustin dhe Vasil Mhilli(babai juaj) janë shumë të njohur në Shkodër për pasionin dhe ushtrimin e sportit me ekipet e Vllaznisë, madje xhaxhai Agustini renditet ndër sportistët më të mirë të Shkodrës në vite, disa herë kampion kombëtar në sportin e mundjes së lirë. Sa ndikim ka familja juaj në përgjithësi që ju përfshiheshit në sport?
Veprimtarinë sportive e kam nisur me futboll. Një ditë prej ditësh, një shok i fëmijërisë më ftoi të shkoja me të në sallën ku ai stervitej në Kick-Box. Atë ditë, rastësisht ishte një ditë ‘sparing’ dhe pas seancës së parë stervitore bëra edhe unë një ndeshje kontrolli të cilen e fitova me KO (Knock Out). Që nga ai moment sporti i boksit sa vinte e më hynte më shumë në qef. Dua të theksoj se gjithmonë në familjen time jam rritur me frymën e sportit duke e ditur që si babai edhe xhaxhai janë marrë me sport. Që i vogël mbaj mend që çdo darkë shihnim ndeshje të ndryshme boksi, mundje, e të tjera të kësaj disipline traditë e familjes tonë. Edhe pse familja në përgjithësi, asnjëhere s’ka dashur që ne (fëmijet) të merreshim me sporte të rënda. Por, sot dua të theksoj se ata janë suporti im më i madh.
Familja juaj jeton prej vitesh në Bruksel, si ndjeheni?
Babai im ka emigruar në Belgjikë që në vitin 1991. Unë kam lindur në vitin 2000 këtu dhe jam rritur në Bruksel, por ne gjithmonë kemi folur shqip duke ruajtur me krenari traditat dhe zakonet shqiptare. Çdo vit kemi shkuar në Shqipëri për pushime duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shqipërinë dhe kryesisht me Shkodrën.
Sot, aktualisht, familja juaj jeton në Belgjikë, ju si përfunduat në Angli, ishte preferencë e juaja personale, apo ofertë e ndonjë klubi boksi?
Pas 3 vitesh në sportin e Kick Box vendosa që të ndryshoj disiplinë për shkak të dëmtimeve të ndryshme në këmbë. Edhe pse rekordi në kick box ishte pozitiv 5 fitore dhe 1 humbje, e pashë të arsyeshme të kaloj në boks anglez, pasi më dukej sikur dëmtimet në këmbë nuk më lejonin të jepja 100% tim. Gjatë diskutimeve të ndryshme në familje vendosem që vendi më i mirë për një karriere në boks anglez ishte Anglia, dhe një nga arsyet kryesore ishte që edhe nuk është shumë larg nga Belgjika. Ka 2 vjet që ushtrohem vetem në boxe anglez në Angli për me vazhdu karrieren profesinale. Në këtë periudhë kam pas me firmos kontratë profesionale por prej virusit proçedurat kanë mbetur pezull, pasi është shty çdo gja deri në normalizimin e situatës.
Ndeshjen e parë zyrtare të boksit kur dhe ku e keni zhvilluar, dhe cilin klub sportiv përfaqësoni?
Në fillim, kur shkova në Londër fillova stervitjen në një klub të vogël boksi Tullys Boxing club. Aty u evidentova dhe më pas klubi aktual JABxing më propozoi që të kaloja te ata nëqoftëse doja të ecja para në karrierë. Te ky klub në atë kohë bënin stervitje edhe 2 boksierë mjaft të njohur në Shqipëri, Florian Marku dhe Xhuljo Vrenozi. Ndeshja e parë ishte me datën 14 Mars 2020 që e kisha kundër një kundërshtari anglez që kishte më shumë eksperiencë dhe peshë më të madhe se unë. Unë atë ndeshja e fitova me pikë.
Në vitet e para keni konkuruar në Kick- Box, cila ka qënë më e bukura apo më e vështira për ju?
Gjatë rrugëtimit në Kick Box kam pasur shumë momente të bukura dhe emocionuese. Një gjë që dua të evidentoj është se në çdo ndeshje kam pasur gjithmonë përkrahjen e familjes e shoqërisë dhe të një grupi të madh mbështetësish shqiptarë. Kam zhvilluar ndeshje të ndryshme në vende të ndryshme. Ndeshja më e bukur për mua mbetet ajo që e kam fituar me KO në raundin e parë në sekonden e 13-të. Kurse ndeshja më e vështirë, ishte ndeshja e fundit që u zhvillua në një ndër sallat më të mëdha në Belgjikë, aq më tepër që edhe e gjithë salla ishte e mbushur me tifozë. Dua të theksoj se dukej sikur shqiptarët kishin pushtuar atë sallë dhe ishin veç ata që dëgjoheshin. Kundërshtari nuk kishte asnjë humbje dhe kishte hyrë me shumë vetebesim në ndeshje, por në fund, fitues i ndeshjes dola unë duke bërë që tifozët shqiptarë, por edhe shumë të tjerë vendas që i kam bërë për vete të shpërthenin në duatrokitje të gjata.
Në fotot dhe videot e ndeshjeve tuaja shfaqeni me flamurin shqiptar, si e kanë pritur anglezët një gjë të tillë?
Si në Belgjikë, ashtu edhe në Angli kur paraqitesh me një flamur tjetër nuk je asnjëherë i favorizuar, por përkundrazi. Por unë, gjithmonë kam hyrë në ring me flamur dhe me muzikë shqiptare. Në çdo ndeshje kam pas shumë përkrahje nga bashkëpatriotët dhe gjithmonë ishim në superioritet për sa i përket numrit në sallë. Anglezet na njihnin shumë mirë si shqiptarë pasi ka pasur disa boksierë të ndryshëm shqiptarë me emër përpara meje, dhe kjo ishte një gjë pozitive për mua.
Në radhët e publikut teksa ju boksoni, por edhe në mbyllje të ndeshjes dëgjohen thirrje dhe brohoritje në gjuhën shqipe, sa e ndjeni mbështetjen e tifozëve shqiptarë?
Përkrahja e bashkëatdhëtarëve nuk ka munguar në asnjë ndeshje timen. Dua t’i falenderoj me zemër për suportin e tyre. Pa ata nuk do arrija këtu. Me bindje të plotë dua të them, se gjthmonë do jap maksimumin tim në çdo ndeshje që t’i bëj shqiptarët kudo të ndihen krenar që janë shqiptarë.
Diçka më shumë rreth klubit sportiv që ju përfaqësoni?
Siç ju thashë, edhe më sipër klubi quhet JABxing. Është një klub boksi profesional në Londer. Tranjeri im është Joshua Burnham, ndërsa përgatitësi fizik është Neon Samuels, dhe unë garoj në peshën (60 kg) lightëeight.
Krahas boksit, me çfarë tjetër merreni, studioni, keni ndonjë preference apo hobi në jetën tuaj të përditshme?
Që nga momenti që kam shkuar në Londër merrem vetem me boks. Gjatë gjithë ditës jam i angazhuar në stervitje. Diten e kaloj, sa nga klubi i boksit në palester dhe duke bërë vrap në park. Kur gjej kohë punoj si coach personal.
Më thatë se pas përvojës në Kick- Box, tashmë keni vendosur të kaloni në boksin profesionist, kur është menduar ta realizoni një gjë të tillë?
Normalisht, tani duhej të isha duke u përgatitur për ndeshjen e radhës, por për shkak të situatës të shkaktuar nga Covid jam në Bruksel pranë familjes time dhe po stervitem këtu.
Sa e ndiqni boksin profesionist në arenën ndërkombëtare, cilin boksier preferoni dhe që ju frymëzon më shumë?
Jam shumë i dhënë mbas boksit, jo vetem si boksier, por edhe si tifoz. Mundohem të jem koherent me ndeshjet e divizioneve kryesore. Sa herë më jepet mundësia kur më përshtatet edhe me oraret europiane i shoh ndeshjet live ose më pas në ritransmetim. Ka shumë boksierë që i ndjek dhe më pëlqejnë se si boksojnë, por një që mendoj se është më i veçante se të tjeret është Saul Canello Alvarez.
Po boksin shqiptar dhe atë shkodran që është kampion absolut prej vitesh në Shqipëri, a e ndiqni, a keni kontakt me trajnerët dhe drejtuesit e Vllaznisë apo edhe të Federatës Shqiptare të Boksit?
Të jem realist, boksin shqiptar nuk e kam ndjekur shumë por e di që boksi shkodran është dominues dhe kampion i padiskutueshëm Shqipëri. Në boksin shqiptar dhe atë shkodran njoh tranjerin e mirnjohur nga të gjithë, Zef Gjonin. Zotin Gjoni e njoh nga xhaxhai im Agustin Mhilli. Kur bëja stervitje në mëngjes e kam parë disa herë duke bërë stervitje me ekipin e Vllaznisë.
Në planet tuaja të së ardhmes, ekziston ndonjë projekt bashëkpunimi me boksin shqiptar dhe atë shkodran?
Të them të drejten, nuk e kam menduar ndonjë herë, por s’jam kundër kësaj ideje. Për momentin jam fokusuar në karrieren personale me ekipin aktual, sepse sapo e kam nisur karrieren. Në një të ardhme të afërt jam i hapur ndaj çdo propozimi që ka të bëjë me atdheun tim.
Nëse do të kishit ndonjë ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë, apo edhe Vllaznia, si do ta pritnit?
Për Shqipërinë dhe për Shkodrën përgjigjia ime do jetë gjithmonë PO!
Të dhënat tuaja si boksier flasin për një të ardhme të sigurt në boksin profesionist. Për tifozërinë shkodrane që e preferon jashtë mase sportin e boksit do të kishte qënë ideale që një nga ndeshjet tuaja të radhës ta programoni për të boksuar në pallatin e sportit të Shkodrës, “Qazim Dervishi”.
Kjo është një nga ëndërrat e mija. Gjithmonë kam dashur që të realizoj të pakten një ndeshje në vendlindjen e të parëve të mi. Pse jo, të mbush edhe un pallatin e sportit të origjinës time ashtu si përpara viteve 90-të e mbushte edhe xhaxhai im, kampioni i mundjes së lirë, Agustin Mhilli.
Intervistoi: Gaspër MARKU