Përgatitjet e boksierëve shqiptarë që do të konkurojnë në Turneun e boksit profesionist, i planifikuar të zhvillohet me datë 22 janar 2023 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, janë drejt fundit.
Në pritje të këtij aktiviteti madhor për boksin shqiptar, kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, ishte i pranishëm në palestrën e boksit Vllaznia të qytetit të Shkodrës duke takuar prej së afërmi boksierët dhe stafin e trajnerëve të drejtuar nga kryetrajneri, Zef Gjoni.
“Gati për mbrëmjen e madhe të boksit “Nata e kampionëve” me 22 Janar ora 17:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” Shkodër.
Pata kënaqësinë të shihja nga afër përgatitjet që po bëjnë boksierët profesionistë, Nelson Hysa, Arjon Kajoshi, Amarildo Grishaj, Senad Drini, Jurgen Lazri etj, nën drejtimin e trajnerëve të mirënjohur, Zef Gjoni, Jetmir Kuqi, Lazarin Vila dhe Klavdo Çekini.
Shkodra mbetet shtëpia e madhe e sportit dhe ky Turne Ndërkombëtar është një dhuratë e bukur për ata që e duan boksin dhe sportet e forcës.”, shkruan kreu i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia në faqen e tij zyrtare të rrjetit social FB.