Flamurtari është kampion i Shqipërisë në boks për të rritur. Një trofe për “dorezat” vlonjate, që ka ardhur mes tensionesh e braktisjesh së finaleve, ndërsa gjithçka është zhvilluar 7-9 tetor në Pallatin e Sportit Flamurtari. Boksieri më i mirë i kampionatit është shpallur Krenar Zeneli, kurse më tekniku, Ani Haxhillari. Por kampionati nuk i shpëtoi incidenteve, teksa në ditën e dytë të kampionatit, boksierët e Tiranës dhe të Teutës u përplasën me gjyqtarët e ringut. Për rrjedhojë në ditën e tretë të këtij kampionati, Tirana, Teuta dhe Studenti u tërhoqën nga kampionati. E largimi i tyre nga aktiviteti është cilësuar skandaloz nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli.
“Kisha paralajmëruar që në krye të herës – thotë Kalivopulli – që ky kampionat boksi kishte rivalitet të madh. Dhe duke qenë i tillë edhe kisha frikë e ndroje se do të kishte problematika. Problematika të cilat u panë. Më vjen keq për qytetin e Vlorës, kjo për mikpritjen dhe për organizimin që i kishte bërë kampionatit. Gjithashtu më vjen keq për ato ekipe, të cilat abandonuan kampionat. Dy gjëra janë të ndaluara në sport, dopingu dhe abandonimi”.
Në të njëjtën linjë me presidentin Kalivopulli janë dhe trajnerët e Flamurtarit dhe të Vllaznisë, Gëzim Zeneli dhe Zef Gjoni.
“Flamurtari ishte pretendenti kryesor për titullin kampion dhe ishte përgatitur seriozisht për këtë garë. Disa elementë negativ bën gjithçka për të sabotuar kampionatin duke humbur mundësinë e tyre për titullin kampion. Krijuan një farë incidenti duke u larguar në mënyrë demonstrative nga kampionati”, thotë Zeneli
“Nuk e kuptoj fare atë që bënë skuadrat dhe trajnerët, të cilët ikën prej kampionatit. Unë nuk ia fali as trajnerëve e as Bashkive dhe klubeve, të cilat mbështesin këto skuadra”, nënvizoi Gjoni.
E për shkak të tërheqjes nga kampionati të Tiranës, Teutës dhe Studentit, shumë ndeshje finale u fituan “aforfe” nga boksierët, kjo për shkak të mungesës së kundërshtarit në ring. Por, gjithsesi, në fund Flamurtari u shpall kampion i Shqipërisë duke marrë tetë vende të para.